​Nuk mund të ketë stabilitet në rajon pa i pranu Serbia krimet e kryera në Kosovë

Aktuale

​Nuk mund të ketë stabilitet në rajon pa i pranu Serbia krimet e kryera në Kosovë

Më: 5 prill 2021 Në ora: 12:34
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se nuk do të ketë paqe e stabilitet në rajon derisa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe krimet që i ka kryer në Kosovë. Kreu i legjislativit tha se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë kompromis me Serbinë në bazamentin e shtetit, në te cilin tha se ndodhet gjaku i martirëve të Kosovës. Këto deklaratat Konjufca i bëri pas homazheve në Kompleksin e Varrezave në Rrezallë në përvjetorin e masakrës së 5 prillit të vitit 1998.

Para memorialit të martirëve në fshatin Rezallë të Skenderajt, Konjufca tha se sakrifica e popullit të Kosovës është në themelet e institucioneve të shtetit.

Konjufca: Serbia është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve

“Serbia është ajo që është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1998-1999, prej forcave shtetërore, ushtarake e paramilitare të Serbisë, prej Batajnicës e Loqenit Peruqac e deri në Kizhevak, po ashtu Rudnicë e Rashkë Serbia është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve të cilat i fsheh qëllimisht e ky është krim i shumëfishtë, pra janë masakra të cilat na i ka bërë gjatë luftës e pastaj rrëmbimi i trupave e pastaj fshehja e tyre e bile në mënyrë të organizuar shtetërore edhe kërcënimi i gjithë atyre që tregojnë se ku janë ato varreza masive. Prandaj krejt çka na mbetët të themi është se nuk do të ketë paqe e stabilitet në rajon për pa i pranu Serbia këto krime, për pa u distancu prej këtyre krimeve shtetërore qe i ka bërë dhe pa e pranuar Pavarësinë e Kosovës”, tha Konjufca.

Lidhur me qasjen e Kosovës në dialogun me Serbinë, Konjufca tha se nuk duhet te pranojë kompromis me Serbinë mbi bazamentin e shtetit.

Konjufca: Të mos pranojmë kompromis me Serbinë mbi bazamentin e shtetit tonë

“Qasja duhet të jetë të mos pranojmë kurrfarë kompromisi me Serbinë në bazamentin e shtetit tonë në të cilin ndodhet gjaku i dëshmorëve tonë, i martirëve tonë, i njerëzve më të dashur qe i ka humbur shteti ynë”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit tha se vetëm falë sakrificës dhe gjakut të rënëve, liria e Kosovës ka qenë e mundur.

Sot bëhen 22 vjet nga Masakra e Rezallës ku ushtria e policia serbe ekzekutuan 98 shqiptarë, në mesin e tyre pleq e fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat