Konjufca: Rrugëtimi ynë për të arritur deri te dita e sotme ishte i vështirë dhe përplot dhembje

Aktuale

Konjufca: Rrugëtimi ynë për të arritur deri te dita e sotme ishte i vështirë dhe përplot dhembje

Më: 9 prill 2021 Në ora: 10:33
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e 9 prillit – Ditës së Kushtetutës.

“Kushtetuta është akti themeltar dhe bazamenti ligjor suprem - është vetë shteti. Duke qenë normë supreme, Kushtetuta ka mision parësor ruajtjen e vlerave themelore demokratike, sigurimin e stabilitetit dhe forcimin e drejtësisë. 

Si popull kemi rrugëtuar me shekuj, brez pas brezi, drejt gjakimeve dhe synimeve tona për shtet të mëvetësishëm. 

Rrugëtimi ynë për të arritur deri te dita e sotme ishte i vështirë dhe përplot dhembje. Por nuk u dorëzuam asnjëherë, sepse ishim në të drejtën tonë, konform vlerave demokratike për liri e pavarësi.

Prandaj sot, në Ditën e Kushtetutës, bashkë me urimin drejtuar të gjithë qytetarëve të vendit, kujtojmë dhe i përulemi me respekt të përgjithmonshëm sakrificës sublime të brezave që gravuan Kushtetutën dhe vulosën themelet e shtetit tonë. 

Gëzuar 9 Prilli - Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit Konjufca. ​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat