Ramosaj: Serbia me mashtrime dhe viktimizime e bindi “Europa Nostran”

Aktuale

Ramosaj: Serbia me mashtrime dhe viktimizime e bindi “Europa Nostran”

Më: 9 prill 2021 Në ora: 23:24
Manastiri i Deçanit

Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit, ka thënë se Manastiri i Deçanit është futur në listën e monumenteve të rrezikuara në Evropë pasi Serbia arriti të bindë organizatën “Europa Nostra”, përmes mashtrimeve dhe viktimizimeve.

Në Interaktiv, Ramosaj ka thënë se s’ka asnjë fakt mbi të cilin është marrë vendimi i organizatës prestigjioze që ky monument të futet në mesin shtatë monumenteve që konsiderohen të rrezikuara.

Sipas tij, në raportin e “Europa Nostras” nuk janë marrë për bazë raportet e sigurisë nga institucionet që kujdesen për sigurinë në atë zonë.

“Kjo është arritur përmes mashtrimit dhe viktimizimit të personelit të Manastirit e që ka ndikim te Qeveria e Serbisë. Janë mashtrues në prezantim të fakteve. Është përkushtim i tillë i Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të jetë më i kujdesshëm në hartimin e ligjeve, duke theksuar se me Ligjin për Zonat e Veçanta dhe atë për Parkun Nacional është favorizuar vetëm Manastiri i Deçanit dhe jo qytetarët e kësaj komune.

“Dua ta theksoj që duhet të jemi të vëmendshëm e më të përkushtuar sidomos në hartimin e legjislacioneve që u japin përparësi e mundësi akterëve sikurse personeli i manastirit apo qeveria e Serbisë, të drejtat e mundësinë që përmes mashtrimit e viktimizimit të përfitojnë diçka. Ne kemi krijuar raporte të tilla edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare... edhe ligjore dhe vendim të Kushtetueses që këta ta paraqesin në vazhdimësi veten si viktima, sepse si të tillë duan të fitojnë diçka. Realiteti është krejt ndryshe”, ka deklaruar më tej ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat