Çun Lajçi ka disa fjalë për qytetarët që ishin në Durrës: Kjo Dardani më vrau...

Aktuale

Çun Lajçi ka disa fjalë për qytetarët që ishin në Durrës: Kjo Dardani më vrau...

Nga: A.Zh Më: 12 prill 2021 Në ora: 10:21
Çun Lajçi

Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi, ka kritikuar qytetarët që ishin në Shqipëri gjatë vikendit të kaluar.

Ai ka thënë se ata shkuan për “një drekë” në restorantet buzë detit, derisa lanë të tjerët duke u “dergjur në shtrat nga virusi”, përcjell Bota dot.

Lajçi ka thënë se ata do të kthehen me virus, derisa ka shtuar se nuk po mund të flejë, pasi “kjo me Dardaninë e vrau”.

Reagimi i plotë i Lajçit në Facebook, pa ndërhyrje:

A ka diçka safi, hakikat n'ket Kosovë

Halli m'çoi marketeve, lypa mjalt për me i pastrua mushknitë nga covidi, por kot shkruen e lulave, e malit, e pishës e bagremit ... hepisi, kishin me thanë do shqiptarë t'Prizrenit që shitën si turq, hepisi, sahi sheqer asht mjalti n'kavanoz!

Mora numra telefonash n'internet t'bletarve n'za dhe porosita vojshtinë (pa e prekë dorë njeriu), t'gështenjave t'Deçanit, e kur m'erdhi n'Prishtinë, çka me pa, ishte cirilang prej ujit e sheqerit!

Nuk pyeta për çmimin jo, se doktori m'tha ha mjaltë hakikat, has, safi, origjinal, siç e ka pru n'hoje bleta, se mushknitë ti ka lavrua covidi!

E bleta s'ka çoban me i shti me zor n'terfojë si lopët, n'rudina si delet e n'dushkaja si dhitë!

Ato kullosin atje ku duen vet, ku e gjejnë nektarin e luleve t'lvadheve, luleve t'gështenjave, t'bagremit e n'pishat që pikojnë rrëshinë!

Ç'asht kjo çoroditje pyeta?Jemi a s'jemi shqiptarë, që bajmë be e rrëfe?

T'mos them siç thotë miku im, poeti Halil Matoshi, jemi kosovarë t'Kosovës!

Hej, natën, si lugat u çova e thashë:

A ka Kosovë përnjimend dhe a ka kosovarë që thonë je n'besën time?

A kishte apo s'kishte Dardani (se mjaltë hakikat s'paska) se Malsori a kush kishte shkrua, s'ka pasë kurrë popull Dardan!

Natën e prisha gjumin, e cividit i kërkova leje vetëm që t'iu veti: A s'paska pasë ndonjiherë Dardani, mbasi popull dardan s'paska pasë a?

Kush e ka hakikat këtu se boll virusi me çmendi, e s'po dua t'me çmend as dardani as kosovari!

Me drejtoni o të ditun, se unë n'fund të shkrimeve t'mia e shkruej Dardani, e s'dua t'jem flamur fallc, si mjalta e bletarve tonë!

Bile, shumë ma mirë tek asht kanë, atë ditë kur Kopiliqi e preu Muratin, e kur korbat ranë mbi ushtarët e vramë, të thirrej Fushëmëllenja ky shteti im i vogël, se Serbia s'kishte pasë si me i thanë Kosovë!

M'falni, se terri i ka fajet që po ha shumë! Po i kthehem mjaltit, aty ku e nisa!

Kërkova ilaç blete me pare(që mos t'thoni si për iphon: Ky tue dekë po lup hiç ma pak se 12 Pro Max 512 gb!)

Jo s'po lypi, por po kërkoj m...t bletësh, vojshtinë, hoje, jo cirilang me sheqer, reçel e ujë?

Dy kila, nga ma t'besushmit e firmave t'bletarëve i mora, dhe si çoban bletësh që isha (tetëvjeçaren e kreva tue i ruejtë bletët e babës) e bana provën e mjaltit n'pllakën e shporetit.

E digja nji lugë nga ajo e Deçanit, qe s'kishte fare ngjyrë gështenje, as idhësim hekuri, dhe nji lugë nga ajo e livadheve nga nji i besueshëm tjetër.

Por çka ndodhi?

Mbi gaca mbeti nji shkrum i zi e n'dhomë nji tym sheqeri të djegun.

Mjalti i vërtetë len pluhun t'bardhë m'thoshte baba!

Pastaj e ngushtova vllaun, Tahirin e Ali Kasemit!

Je bletarë, a ke mjaltë për ilaç?

Me ngushtove more, se nuk kam, dhe as mos kërko siç e don, se gjithçka po përzinë kjo dorë shqiptari për nji grosh ma shumë!

Hej, n'orën dy t'natës mu kujtua profesori i Malishevës, Idriz Morina dhe i shkrova:

Kur shitsha libra të Sahat Kulla, ti erdhe me nji kavanoz mjalt. M'the e ke nga bletët e mia, jo nga dora që përzinë. Atëherë s'kisha mushkni t'lavrueme nga covidi. Sot po, dhe m'duhet për ilaç!

Dhe ja përgjigja: "Po, ti siguroj gjithësesi, pa merak, për shpirtin tand që m'knaq, se jam tue t'përcjellë rregullisht".

Nuk iu falenderova se ka ra me fjetë thashë, por po pres të zbardhet që t'i shkruej!

Tue u shtri n'shtrat e pyeta terrin: Çka ka t'vërtetë n'Kosovë, apo edhe vetë kjo e shkretë qenka rrenë si mjalti!

Ore, a mos nuk jemi kosovarë, se për nji kafe iken n'Durrës ket vikend, tue na lanë neve të dergjemi n'shtrat nga virusi, kinse s'i duruekan masat anticovid,e për nji drekë e nji darkë duelen n'restorantet buzë deti! Thua se janë mësu t'ushqehen restoranteve t'Kosovës e t'dalin bjeshkëve me gjezdisë!

Priti tash kur t'kthehen me virus, se kujtuen se Durrësi asht n'planetin tjetër!

Po mundohem t'flejë, por kjo me Dardaninë m'vrau. A dini pse?

Se nëse quhej Dardani do t'quheshin Dardan edhe ata qe kanë jetua n'atë mahallë, katund, qytet a fis a çka ishte ajo?

Po mundohem me joshë gjumin, veç kur të zgjohem nesër, për inat do ta shkruej:

*Dardani, 12.04.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat