​Szunyog dhe Wigemark: Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit, bazë e mirë për reformim

Aktuale

​Szunyog dhe Wigemark: Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit, bazë e mirë për reformim

Më: 12 prill 2021 Në ora: 19:53
Foto nga takimi

Përfaqësuesi special të BE-së, ambasadori Tomas Szunyog dhe shefi i misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, kanë theksuar se rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit është një bazë e mirë për reformimin dhe organizimin e institucioneve të Kosovës.

Ambasadori Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Wigemark, këto komente i bënë gjatë takimit me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku është diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë, prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët.

Fillimisht Ministrja Haxhiu përmendi prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me sundimin e ligjit duke filluar nga rishikimi funksional i sektorit të drejtësisë, vetingu në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, adresimin e krimeve të luftës, dhunën në familje, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë komerciale.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Szunyog dhe shefi i misionit të EULEX-it, Wigemark adresuan disa nga çështjet më të rëndësishme në sektorin e sundimit të ligjit, duke filluar me situatën me COVID - 19 dhe sfidat që prekin institucionet e drejtësisë.

“Ata theksuan se rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit është një bazë e mirë për reformimin dhe organizimin e institucioneve të Kosovës. Po ashtu, shprehën gatishmërinë e tyre për mbështetje me ekspertizë dhe gjithashtu këshilluan për konsensus politik me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë. Ndër të tjerash, si prioritet të tyre adresuan luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe theksuan rëndësinë e plotësimit edhe të ndryshimeve të nevojshme ligjore”, thuhet në një komunikatë të MD-së.

Ministrja Haxhiu theksoi punën në adresimin e shumë komenteve që kanë dalë nga rishikimi funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ministrja Haxhiu theksoi se përqendrimi është në dokumentin e konceptit që parasheh paketën e re ligjore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.

Në takim, u trajtua gjithashtu çështja e personave të pagjetur, si një nga temat më të ndjeshme dhe të rëndësishme për t'u trajtuar nga institucionet.

Të dy palët në takim shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në çështjet e shtetit të së drejtës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat