​Administrata publike pa mbikëqyrjen e asnjë komisioni, kërkohet të përfshihet te Qeverisja Lokale

Aktuale

​Administrata publike pa mbikëqyrjen e asnjë komisioni, kërkohet të përfshihet te Qeverisja Lokale

Më: 13 prill 2021 Në ora: 12:25
Pamje nga takimi

Anëtarët e Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media, kanë kërkuar që në fushëveprimin e këtij komisioni të përfshihet edhe mbikëqyrja e administratës publike, siç ka qenë në legjislaturat e mëhershme.

Në mbledhjen konstituive të këtij komisioni, u tha se pas fuzionimit të Ministrisë së Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mbikëqyrja e administratës publike nuk është përfshirë në asnjërin nga komisionet parlamentare.

Anëtarët e këtij komisioni, u dakorduan që këtë çështje ta trajtojnë në mbledhjet e ardhshme dhe t’i drejtohen kryesisë së Kuvendit që mbikëqyrja e administratës publike të jetë kompetencë e këtij komisioni.

Anëtari i komisionit nga AAK, Besnik Tahiri, tha se ky komision pa mbikëqyrjen e administratës publike është jofunksional.

Tahiri: Ky komision pa mbikëqyrjen e administratës publike është realisht jofunksional

“Ky komision parlamentar në të kaluarën e ka mbikëqyrur edhe administratën publike dhe unë e bëra një analizë të të gjitha komisioneve që i kemi këtu dhe në asnjë komision prej 14 komisioneve administrata publike që i përfshin diku rreth 50 mijë punonjës nuk është i përfshirë. Ky komision duhet që të përcjell Ligjin e pagave i cili po besoj do të vjen tek Parlamenti shpejtë, pastaj Ligjin e Qeverisë që është i përfunduar dhe reforma të tjera në administratën publike që janë pjesë e rëndësishme e punës dhe mbikëqyrjes që ky komision e bënë. Mendoj që në fushëveprimin e këtij komisioni duhet medoemos të përfshihet mbikëqyrja e administratës publike dhe reformave. Ky komision pa mbikëqyrjen e administratës publike, pa mbikëqyrjen e reformës është realisht jofunksional për mendimin tim”, tha Tahiri.

Që mbikëqyrja e administratës publike të përfshihet në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media është përkrahur nga anëtari i PDK-së në këtë komision Mërgim Lushtaku, i cili tha se mbikëqyrja e administratës publike bëhet më së miri nga ana e këtij komisioni.

Mbështetje kanë dhënë edhe deputetët e pozitës, ku deputeti i LVV-së Besim Muzaqi, tha se duhet që të kërkojnë që mbikëqyrja e administratës publike të kthehen nën kompetencën e këtij komisioni.

Muzaqi: Të iniciojmë kthimin e kësaj kompetence

“Si komision nëse jo sot, në mbledhjen e ardhshme duhet ta adresojmë si pikë të rendit të ditës dhe të iniciojmë kthimin e kësaj kompetence në mënyrë që administrata publike të mbikëqyret nga komisioni kompetent i cili edhe në mandatin e kaluar e ka mbikëqyrur”, tha ai.

Kryetarja e komisionit, Doarsa Kica Xhelili, tha se do ta trajtojnë këtë çështje, por që ka propozuar që një herë fushëveprimtaria e komisionit të votohet siç është paraparë e për çka ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve.

Kica: Natyrisht që kjo tematikë duhet të shqyrtohet

“Natyrisht që kjo tematikë duhet të shqyrtohet, jam në pajtim që çështje të tilla sidomos në qoftë se ngrihet nga grupe të shumta parlamentare duhet të diskutohet pavarësisht vendimit në Kuvend. Megjithatë për të qenë më praktik sugjeroj që kjo temë të ezaurohet në ditët në vijim dhe në mbledhjen e radhës, ndërsa për sot në mënyrë që të na mundësohet edhe vijimësia e punës së këtij komisioni me detyrat dhe autorizimet që na janë caktuar me vendimin e Kuvendit aktual ta miratojmë për momentin kështu siç është me funksionet që i ka, ndërsa në mbledhjet e radhës mund ta diskutojmë këtë çështje dhe sipas nevojës të shkojmë me një propozim konkret në Kuvend në mënyrë që të rikthehet administrata publike në këtë komision”, tha ajo.

Në këtë komision u vendos që në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet me 20 mars të diskutohet raporti i punës për vitin 2020 nga Komisioni i Pavarur për Media, me ç’rast do të ftohen përfaqësuesit nga Komisioni i Pavarur për Media. Po ashtu, anëtarët e komisionit u dakorduan që të mbajnë mbledhje çdo të martë nga ora 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat