​Formohet Komisioni për Punë të Jashtme, deputetët thonë se do të angazhohen për njohje të reja

Aktuale

​Formohet Komisioni për Punë të Jashtme, deputetët thonë se do të angazhohen për njohje të reja

Më: 13 prill 2021 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë legjislaturë në të cilën është thënë se prioritet do të kenë angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës, në veçanti nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Në mbledhjen konstituive të këtij komisioni, deputetët u pajtuan për formimin e një grupi punues i cili do të hartojë planin e punës së komisionit, por që u tha se kjo do të bëhet pasi të pranojnë planin e punës së qeverisë për vitin 2021.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se prioritet duhet t’i japin diplomacisë parlamentare.

Abazi: Të kemi prioritet angazhimin për shtimin e njohjeve të Kosovës

“Prioritetet gjatë punës tonë mendoj se duhet t’i japim prioritet natyrisht diplomacisë parlamentare, bashkëpunimi ndërparlamentar, angazhimi për shtimin e njohjeve me theks të veçantë nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit nga ministritë që prekin dikasteret që mbulojmë edhe ne, dhe çështjeve të tjera që janë në kompetencë të komisionit tonë në bazë të rregullores”, tha ai.

Ai kërkoi formimin e një grupi punues i cili do të përgatisë planin vjetor të komisionit dhe i njëjti do të përbëhet nga një përfaqësues nga secili grup parlamentar.

Lidhur me këtë, nënkryetari i komisionit, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti tha se tashmë ekziston një praktikë se si funksion komisioni për Punë të Jashtme, andaj sipas tij, nuk ka nevojë të thellohet shumë në plan të veprimit.

Haliti: Komisioni nuk është patericë e qeverisë por e kontrollon punën e qeverisë

“Ne jemi komision oponencë e qeverisë, ne kemi kontrollin për qeverinë ne nuk jemi patericë e qeverisë dhe nëse ka funksionuar kështu komisioni edhe në të kaluarën, atëherë është e njëjta gjë. Diplomacia parlamentare nuk varet prej komisionit tonë, varet shumë nga politikat qeveritare që krijohen por edhe varet nga raportet që i kemi me parlamentet të caktuara… Nuk është komisioni, Ministria e Jashtme e Parlamentit. Nuk ka nevojë me u thellu aq shumë me mendu çka do të ndodh ose cili do të jetë plani ynë i veprimit sepse ne i kemi rreth 20 vjet parlamentarizëm në Kosovë dhe nëse nuk është kriju një praktikë, ose nëse ka pasur praktika të këqija hajde t’i përmirësojmë, por e njëjta praktikë e çdo legjislature është. Nuk ka diçka, nuk kemi me zbulu ne ujin e nxehtë”, tha Haliti.

E sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, me qeverinë e re pritet të ndryshohet edhe qasja ndaj politikës së jashtme.

Pacolli: Presim të ndryshojë jashtëzakonisht shumë qasja ndaj politikës së jashtme

“Tash situate ka ndryshuar shumë, përveç që e kemi një qeveri të re dhe presim që të ndryshojë edhe qasja ndaj politikës së jashtme jashtëzakonisht shumë, ka ndryshuar edhe për shkak se jemi në një kohë të pandemisë dhe nuk mund të marrim ‘copy paste’ qysh po propozon deputeti dhe të vazhdojmë me draftet që i kemi pasur”, tha Pacolli.

Ndërsa sipas deputetes nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, komisioni nuk mund të hartojë planin e punës derisa nuk arrin plani legjislativ i qeverisë.

Kadrijaj: Plani i punës së komisioni nuk mund të hartohet pa ardhur plani legjislativ i qeverisë

“Plani i punës për momentin është i pamundshëm që të realizohet për shkak se plani legjislativ i qeverisë ende nuk ka ardhur, kështu që është e pamundshme të realizohet sepse ne nuk e dimë as periudhën kohore kur do të sjellë ligjet në Kuvend që ne duhet t’i amandamentojmë, dhe pa u sjell plani legjislativ ne mundemi me bë një draft plan të punës së komisionit por nuk mund ta bëjmë dhe aprovojmë një plan të punës derisa qeveria nuk e ka sjellë një plan të punës”, tha Kadrijaj.

Grupi punues i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë i cili u formula sot, pritet të hartojë programin e punës për këtë vit pasi qeveria të procedojë me planin e saj të punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat