ZPV i rekomandon gjyqtarit paraprak që të pranojë pesë aplikantë si viktima pjesëmarrëse në rastin e Salih Mustafës

Aktuale

ZPV i rekomandon gjyqtarit paraprak që të pranojë pesë aplikantë si viktima pjesëmarrëse në rastin e Salih Mustafës

Më: 13 prill 2021 Në ora: 14:09
Salih Mustafa

Përmes një shkrese drejtuar gjyqtarit paraprak, Zyra për Pjesëmarrje të Viktimave (ZPV) ka kërkuar që të pranohen pesë aplikantë si viktima pjesëmarrëse, në rastin ku Salih Mustafa po akuzohet për krime lufte.

Gjithashtu, ZPV ka kërkuar që për të njëjtit të caktohen edhe masa mbrojtëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas ZPV-së, aplikanti viktima 06/05 pretendon se ka pësuar dëmtim fizik dhe mendor dhe viktima-05/05 pretendon se ka pësuar dëmtim mendor, ndërkaq asnjë nga aplikuesit nuk ka paraqitur ndonjë dokument mbështetës mbi dëmin.

Në bazë të kësaj shkrese, aplikantët Viktima-07/05, Viktima-08/05 dhe Viktima-09/05 janë të përkatësisë etnike shqiptare dhe pretendojnë të jenë viktima të drejtpërdrejta të ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës në kompleksin e paraburgimit në Zllash / Zlaš brenda periudhës përkatëse.

Edhe për këto tre viktima thuhet se nuk kanë paraqitur asnjë dokumentacion mbështetës për dëmin.

ZPV i ka rekomanduar gjyqtarit të procedurës paraprake që të pranojë të pesë aplikantët si viktima pjesëmarrëse, si dhe i ka rekomanduar që t’i grupojë pesë viktimat në një grup të vetëm për qëllime të përfaqësimit të përbashkët.

Ndërkaq, sa i përket preferencave mbi përfaqësimin ligjor, shumica e aplikantëve thuhet se nuk kanë shprehur asnjë preferencë dhe se vetëm një aplikant ka deklaruar se do të dëshironte të përfaqësohej nga një avokat ndërkombëtar.

Sa i përket masave mbrojtëse që janë kërkuar nga aplikatët, thuhet se një aplikant ka kërkuar mos zbulim për publikun, dy aplikantë kanë kërkuar mos zbulim për publikun dhe të akuzuarin dhe dy të tjerë mos zbulim për publikun, të akuzuarin dhe avokatin mbrojtës.

Sipas ZPV-së,  garantimi i sigurisë së viktimave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një sistem të suksesshëm të pjesëmarrjes së viktimave para Dhomave të Specializuara dhe viktimat do të aplikojnë dhe marrin pjesë në procedurë, vetëm nëse do të ndihen të sigurt duke e bërë këtë.

“Shqetësimet mbi një klimë të rrezikshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe viktimave në Kosovë dhe fakti se Kosova është një vend i vogël, ku njerëzit jetojnë në komunitete të ngushta dhe i akuzuari ka ndikim të madh, lidhje, burime dhe struktura mbështetëse, ndikojnë në të gjitha viktimat që aplikojnë për pjesëmarrje. Bërja e kërkesës për pjesëmarrje në procedurë si viktimë përbën jo vetëm rrezik të stigmës, por edhe të hakmarrjes dhe dhunës nga anëtarët e tjerë të komunitetit, në veçanti për ata aplikantë që jetojnë në Kosovë dhe aplikantët që ende kanë familje në Kosovë”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas ZPV-së, kjo tregon se ekzistojnë rreziqe të arsyeshme për të gjithë aplikantët, pa pasur nevojë që aplikantët të rendisin në mënyrë specifike kërcënimet konkrete ndaj tyre ose familjeve të tyre.

“Zbulimi i informacionit identifikues, si i aplikantëve për viktima, ashtu edhe i viktimave të pranuara për pjesëmarrje, do të përbënte një rrezik sigurie jo vetëm për aplikantët dhe viktimat pjesëmarrëse, por edhe për familjet e tyre. Për më tepër, zbulimi i emrave të viktimave për publikun mund të ketë një efekt më të gjerë, pasi mund të dekurajojë viktimat që të mos aplikojnë”, thuhet në këtë shkresë.

Tutje, thuhet se ZPV kërkon nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake që të japë masa mbrojtëse për të gjithë aplikantët.

“Përkatësisht: redaktimi i emrave dhe informacionit identifikues nga regjistrat publik të Dhomave të Specializuara (Rregulli 80 (4) (a) (i)); moszbulimi i informacionit për publikun i çfarëdo regjistri që identifikon aplikantin (Rregulli 80 (4) (a) (ii)); dhe caktimin e një pseudonimi (Rregulli 80 (4) (a) (vi)). Këto masa mbrojtëse kanë për qëllim të sigurojnë që identifikimi i informacionit të viktimave të mos ndahet me botën e jashtme. ZPV vlerëson se këto masa mbrojtëse janë të domosdoshme dhe proporcionale. Për më tepër, ZPV kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake t’u japë të gjithë aplikantëve masa mbrojtëse sipas Rregullës 80 (4) (d) (Anoninimiteti ndaj të Akuzuarit) dhe Rregullës 80 (4) (e) (Anonimiteti ndaj Avokatit të Mbrojtjes)”, thuhet në shkresë.

Sipas ZPV-së, në këtë fazë, mos zbulimi i identitetit të viktimave tek i akuzuari dhe avokati mbrojtës është një masë proporcionale dhe nuk do të paragjykonte në mënyrë të pakthyeshme të drejtat e të akuzuarit.

“Në të kundërt, zbulimi i identitetit të aplikantëve në këtë fazë do të krijonte një situatë dhe të pakthyeshme që nuk mund të korrigjohet në një fazë të mëvonshme. Një zbulim i tillë do t’i ekspozonte pa nevojë aplikantët dhe do t’i vinte ata në rrezik”, thuhet në shkresë.

Prandaj, thuhet se ZPV-së i rekomandon gjyqtarit paraprak të jap masat përkatëse mbrojtëse të kërkuara më sipër, pasi ato janë rreptësishtë të nevojshme, të përshtatshme dhe proporcionale në këtë fazë të procedurës.

Ndryshe, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja.

Më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat