​OAK paraqet problemet e bizneseve para ministres Hajdari

Aktuale

​OAK paraqet problemet e bizneseve para ministres Hajdari

Më: 13 prill 2021 Në ora: 15:26
​OAK

Vështirësitë me të cilat po përballen bizneset si rezultat i pandemisë, ofrimi i përkrahjes nga ana e institucioneve të vendit, krijimi i ofertave për bizneset e bashkëpunimi i ndërsjellë ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

OAK uroi ministren për pranimin e detyrës dhe falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm, duke i ofruar përkrahje sa i përket trajtimit të çështjeve të sektorit privat, duke theksuar se OAK duhet të konsiderohet si një partner kredibil.

“Gjatë këtij takimi u theksuan: problemet e bizneseve të Kosovës gjatë tranzitit të mallrave në Serbi, rëndësia e implementimit të Ligjit për Tregti të Brendshme, Ligjit për Falimentim, krijimi i ofertave për biznesin, largimi i Kosovës nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikohet si Republikë e Kosovës, kompletimi i të gjitha parqeve industriale me infrastrukturë si dhe Institucionet të përkrahin më shumë prodhimin vendor”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga OAK.

Ministrja Hajdari, nga ana e saj, theksoi që industria do të trajtohet me prioritet nga ky dikaster, duke potencuar që do të jetë e hapur për bashkëpunim jo vetëm me odat por edhe bizneset individualisht për konsultime sa i përket sektorit privat.

“Andaj, me bashkëpunim të ndërsjellë do të tejkalohen barrierat të cilat shfaqen gjatë të bërit biznes”, citohet të ketë thënë Hajdari. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat