Ja si e komenton BE-ja temën e hapjeve të kufijve në Ballkan

Aktuale

Ja si e komenton BE-ja temën e hapjeve të kufijve në Ballkan

Më: 13 prill 2021 Në ora: 20:57
BE

Çështja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është rihapur sërish.

Kjo për shkak të diskutimeve për ndryshim të mundshëm kufijsh në Ballkan, e të cilat janë nxitur nga një letër që pretendohet se i është dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

Sipas raportimeve të mediave në Bosnjë-Hercegovinë, në letër kryeministri Jansha premton angazhimin e tij në përmbylljen e procesit të “shkatërrimit të Jugosllavisë”.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se nuk janë në dijeni për letrën e rrjedhimisht as nuk mund të deklarohen për një gjë të tillë derisa lidhur me shkëmbimin e territoreve thonë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar.

“Mund të themi se, sa i përket kufijve pozicioni i BE-së është i qartë dhe në çështjen e kufijve nuk ka çfarë të ndryshohet. Ne duhet të punojmë drejt bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në rajon, pa hyrë në fushat e rrezikshme, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e BE-së”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës për Politike të Jashtme në BE.

Në anën tjetër, sipas Augustin Palokajt, derisa ekziston ideja për ndryshimin e kufijve, Serbia do të mundohet të hap si temë një gjë të tillë.

“Pa marrë parasysh se cila është e vërteta me ekzistencën apo jo të këtij non-paper” të kryeministrit të Sllovenisë, ideja për ndryshimin e kufijve në territorin e ish-Jugosllavisë nuk është ende krejtësisht e vdekur sidomos në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Përderisa ekziston kjo ide në Serbi, Beogradi gjithmonë do mundohet të gjejë adresa edhe në Evropë për të rihapur këtë çështje përsëri”, ka thënë Augustin Palokaj.

Megjithatë Palokaj thotë se raportimet e tilla lidhur me kryeministrin slloven duhet të merren me rezerva.

“Gjithsesi duket pak e pabesueshme që kryeministri i Sllovenisë të del me ide të tilla në këtë kohë kur Sllovenia pritet ta merr kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Lidhur me diskutimet e për mundësinë e ndryshimit të kufijve, nuk kanë pranuar të deklarohen as nga Presidenca e as nga Qeveria në Kosovë. Të rezervuar për këtë temë, të martën kanë qenë edhe partitë opozitare në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat