Gjykimi ndaj dy policëve të akuzuar për korrupsion, dëshmitari rrëfen se çfarë kishte parë e dëgjuar në ditën kritike

Aktuale

Gjykimi ndaj dy policëve të akuzuar për korrupsion, dëshmitari rrëfen se çfarë kishte parë e dëgjuar në ditën kritike

Më: 14 prill 2021 Në ora: 17:45
Seanca

Gjykimi ndaj dy zyrtarëve policorë, Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiqijeviq, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të propozuar nga mbrojtja, Milleta Çolloviq.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dëshmitari Çolloviq deklaroi se punon në autolarjen në fshatin Leshak, saktësisht në pompën e benzinës “Oktan”.

I njëjti rrëfeu lidhur me atë çfarë kishte parë e dëgjuar ditën kritike.

“Unë atë ditë kam qenë në vendin e punës, menjëherë në afërsi timen pothuajse 25 deri në 30 metra kanë qëndruar disa njerëz dhe kanë biseduar. Ka qenë një kamion me dy njerëz të tjerë, atë që kanë qenë me kamion nuk e kam njohur, ndërsa këta dy tjerët po. Njëri ndër ta ka qenë fqinj i imi, ndërsa tjetri fqinji im Dejani”, deklaroi dëshmitari Çolloviq.

“A ka qenë bisedë normale apo ka qenë bisedë më e zëshme?”, ka pyetur avokati Miodrag Bërklaq, mbrojtësi i të akuzuarit Vukojeviq, për çka dëshmitari u përgjigj: “Ka qenë bisedë më e zëshme, mirëpo nuk e kam dëgjuar pasi që kam qenë më larg”.

Ndërsa, në pyetjet e prokurores Fetije Bajrami–Shala, dëshmitari deklaron se e kishte parë Dejanin që po qëndronte aty, kishte qenë në vendin e punës dhe i kishte parë disa njerëz që po mblidheshin, mirëpo nuk e kishte parë kur kishte shkuar Dejani.

Në seancën e së mërkurës ishte paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitaret Radisha Llazoviq e Sllobodan Pandriq, të cilët sipas aktakuzës janë me vendbanim në qytetin e Kralevës të Serbisë, mirëpo të njëjtit munguan, për çka gjykatësi Bekim Veliqi tha se komunikimi me ftesa të rregullta ka qenë pengesë për prezencën e tyre.

Kështu, pas dëgjimit të dëshmitarit, gjykatësi Veliqi e ka caktuar seancën e radhës për 18 maj 2021, në ora 13:00, gjatë së cilës pritet të dëgjohen dëshmitarët e lartpërmendur.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 25 janar 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Nebojsha Vukojeviqt dhe Sreqko Janiqijeviqt, me arsyetimin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 3 korrik 2016, në fshatin Drenova, Komuna e Leshakut, para pompës së benzinës “Oktan”, i dëmtuari Jugosllav Andrik, së bashku me dy dëshmitarët Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq, kishte shkuar në fshatin Drenov, me kamionin e të dëmtuarit, për të blerë dru nga personi Vladan.

Sipas aktakuzës, ndërkohë kishte shkuar dëshmitari Dejan Veljkoviq me automjetin e tij, i cili kishte kërkuar nga i dëmtuari Jugoslav Andrik para në shumën prej 400 euro, për drunjtë të cilat ia kishte shitur para një viti, derisa i dëmtuari i ishte përgjigjur se drunjtë atëherë ia kishin konfiskuar policia, pasi nuk kishin qenë të vulosura.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dejan Veljkoviq kishte filluar ta kërcënonte të dëmtuarin Jugosllav Andrik, se do ta thërret një person që do t`ia djegë kamionin nëse nuk ia jep paratë, ose do ta thërret vëllain e tij polic, për t`i marrë paratë.

Pastaj, siç thuhet në aktakuzë, Veljkoviq kishte thirrë në telefon policinë, e që zyrtari policor Nebojsha Vukojeviq e kishte kapur për dore të dëmtuarin Jugosllav Andrik, i cili kishte qenë në kamion ku e kishte ndihmuar edhe kolegu i tij, Sreqko Janicijeviq.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, e kishin tërhequr të dëmtuarin deri te automjeti i policisë dhe e kishin detyruar atë që t`ia jep paratë dëshmitarit Veljkoviq, ose do ta dërgonin në gjykatë në Vushtrri, ose përndryshe nuk do ta lëshojnë nga vendi ku ishte.

Siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari nën presionin e policisë i kishte nxjerr nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe ia kishte dhënë Veljkoviqit, me ç’rast ky i fundit i kishte thënë policisë “lirojeni tani Jugosllavin”. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat