Edhe pse kemi rënie të lehtë të rasteve me Covid, gjendje është alarmante në Infektivë

Aktuale

Edhe pse kemi rënie të lehtë të rasteve me Covid, gjendje është alarmante në Infektivë

Më: 14 prill 2021 Në ora: 23:43
QKUK

Ditëve të fundit është vërejtur një rënie e lehtë e rasteve të reja me COVID-19, por prapë Klinika Infektive është e ngarkuar me trajtimin e pacientëve të infektuar.

Infektologu Arben Vishaj bëri të ditur se Klinika Infektive vazhdon të mbetet e ngarkuar sidomos pas përhapjes së variantit të ri britanik të COVID-19.

“Për momentin i kemi 117 pacientë të hospitalizuar dhe është e vërtetë që varianti britanik është prezent në vendin tonë dhe mbase ky variant ka ndikuar në përhapjen më masive të infeksionit me COVID”.

“Gjendja paraqitet pothuajse e njëjtë – e rëndë sikur që ka qenë gjithmonë. Kjo është një gjendje krejtësisht e veçantë nga protokollet e sëmundjeve infektive”, tha Vishaj.

Infektologu mes tjerash bëri të ditur se kohëve të fundit është rritur kohëzgjatja e hospitalizimit teksa për trajtim dominojnë moshat e shtyera.

“Çdo ditë dikur tre deri në pesë pacientë ndodhë që i lirojmë. Por, menjëherë brenda ditës këto vende mbushen ndërsa kohëzgjatja e trajtimit është më e rritur – ne ende për këtë muaj nuk i kemi bërë parametrat statistikore që ta dimë me përqindje më të saktë. Në përgjithësi është rritur kohëzgjatja e hospitalizimit”.

“Dominojnë moshat e vjetra por kohëve të fundit kemi edhe mosha që janë të mesme që trajtohen në klinikën tonë”.

Tutje Vishaj bëri të ditur se nga 117 pacientë nga ta 105 janë në oksigjeno-terapi.

“Për momentin i kemi 117 pacientë ku praktikisht e kemi të mbushur tërë kapacitetin e hospitalizimit ku prej tyre 105 janë në oksigjeno-terapi dhe katër pacientë janë në kujdesin intenzivë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat