Murati priti në takim njohës ambasadorin e Norvegjisë, Grondahl

Aktuale

Murati priti në takim njohës ambasadorin e Norvegjisë, Grondahl

Më: 15 prill 2021 Në ora: 13:06
Foto nga takimi

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, ku raportohet se u diskutua për bashkëpunimin ndër shtetëror dhe për gjendjen emergjente shëndetësore me pandeminë COVID-19.

Nga kjo ministri njoftojnë se Murati e falënderoi Grøndahl për projektet të cilat i ka financuar shteti Norvegjez në Kosovë, me theks të veçantë për ato në sistemin e drejtësisë dhe shoqëri civile.

Gjatë takimit, ministri dhe ambasadori diskutuan për gatishmërinë dhe masat që do të ndërmarrë Qeveria Kurti për t’i ofruar mbështetje financiare sektorit privat të ndikuar drejtpërdrejt nga vendimi i Qeverisë si dhe për planin zhvillimor dhe legjislativ të Qeverisë, me theks të veçantë formalizimin e ekonomisë, luftimin e korrupsionit si dhe zbatimin e ligjit.

Ndërkaq, ambasadori norvegjez shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se mbështetja e shtetit norvegjez do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës do të rritet dhe do të përfshijë edhe fusha tjera në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat