Kryeministri Kurti kujton Shaqir Hotin

Aktuale

Kryeministri Kurti kujton Shaqir Hotin

Nga: D.RR Më: 15 prill 2021 Në ora: 20:41
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar jetën dhe veprën e artistit tashmë të ndjerë, Shaqir Hotit.

Kurti thotë se Shaqir Hoti, të cilit i referohet si Baca Shaqë, është mishërimi më i veçantë i trashëgimisë sonë kulturore, muzikore e shpirtërore.

Ai tutje thotë se veprimtaria e Shaqir Hotit ishte komplekse dhe me shumë substancë.

"Ne kurrë nuk do të mund të bëjmë aq sa ka bërë ai", ka thënë ndër tjera Kurti.

Postimi i plotë:

Baca Shaqë,

Mishërimi më i veçantë i trashëgimisë sonë kulturore, muzikore e shpirtërore, figurë që me punën e tij si flautisti i parë i Kosovës, multiinstrumentist i një sërë instrumentesh muzikore folklorike dhe me tela, i shquar si interpretues në premierën e këngës “Baresha” me figurën tonë historike të këngës Nexhmie Pagarusha, me qindra performanca me muzikantë të shumë zhanreve, me mbi 180 këngë origjinale, mbi 200 instrumente origjinale dhe shumë risi të shkëlqyera në krijimin e instrumenteve folklorike.

Veprimtaria e Shaqir Hotit ishte komplekse dhe me shumë substancë. Ajo i kapërceu kufijtë e zejes, performancës dhe interpretimit të zakonshëm. Shaqir Hoti ishte vetë narrativa e folklorit tonë ku ­me përvojen e tij profesionale dhe personale në tërë ekosistemin tonë kulturor, veçanarisht në muzikë, i dha frymë njerëzore veprimtarisë së tij.

Me instrumentet dhe veprat e tij ai përcolli rrëfime njerëzish, tregime folklorike, idioma të veçanta të natyrës së folkorit, humor popullor, miqësi dhe urtësi të rrëfimeve dhe gurrës sonë popullore për shumë e shumë gjenerata që do të vijnë.

Ne i detyrohemi kontributit të tij të pashoq. Ne kurrë nuk do të mund të bëjmë aq sa ka bërë ai, por së paku mund të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur, për të ruajtur dhe për të përçuar punën e tij brez pas brezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat