​PDK dorëzon kërkesën për tri debate parlamentare, e para ka të bëjë me sigurimin e vaksinave

Aktuale

​PDK dorëzon kërkesën për tri debate parlamentare, e para ka të bëjë me sigurimin e vaksinave

Më: 16 prill 2021 Në ora: 11:18
Abelard Tahiri

(E plotësuar 13:29) - Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzua sot në Kuvendin e Kosovës tri kërkesa për debate parlamentare që kanë të bëjnë me dështimin e qeverisë për sigurimin e vaksinës, gjendjen në sistemin arsimor dhe gjendjen ekonomike në vendin tonë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abdelard Tahir, tha se debati i parë do të mbahet për çështjen e vaksinave, për çka tha se ka qenë premtim i kryeministrit Albin Kurti që brenda këtij viti do të vaksinohen 60 përqind e popullsisë, e që sipas tij, kjo qeveri nuk ka arritur t’i sigurojë as edhe 60 vaksina.

Tahiri tha se mund ta mirëkuptojnë paaftësinë e kësaj qeverie që të dalë me veprime konkrete sa i përket këtyre tri çështjeve të rëndësishme, por që u shpreh se nuk mund ta mirëkuptojnë heshtjen dhe neglizhencën e tyre përballë qytetarëve të Kosovës.

Sa i përket kohës se kur do të mbahen këto debate, ai tha se i mbetet kryesisë të vendos, por që tha se beson që debati i parë do të mbahet të enjten.

Tahiri: Si GP i PDK-së kemi vendosur që në javën e ardhshme t’i thërrasim tri debate parlamentare

“Si GP i PDK-së kemi vendosur që në javën e ardhshme t’i thërrasim tri debate parlamentare, debati i parë parlamentar do të jetë debati që ndërlidhet me dështimin e Qeverisë për sigurimin e vaksinës. Juve ju kujtohet që kryeministri Kurti me programin e tij prezantoi që në vitin e parë të qeverisjes do të arrijë 60 përqind të vaksinimit të popullsisë së Republikës së Kosovës dhe ju jeni dëshmitarë që sot ai as edhe 60 vaksina nuk i ka siguruar e lërë më deri në fund të vitit të vaksinohen 60 përqind e popullsisë tonë në Republikën e Kosovës. Një gjë tjetër që është po ashtu mjaftë e rëndësishme t’ia përkujtojmë edhe kryeministrit Kurti edhe partisë së tij është që në programin e tyre krejt dhe drejt e ka pasur që qysh në fillim të qeverisjes së tij do të bashkëpunojë ngushtë me Republikën e Shqipërisë për sigurimin e vaksinave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe çka ka ndodhur ka ndodhur e kundërta, pikërisht z.Kurti refuzoi fatkeqësisht ndihmën”, tha ai.

Ky debat tha se lidhet edhe me gjendjen e rëndë që ka kapluar spitalet në tërë territorin e Kosovës. Për këtë, ai ka ftuar që në këtë debat të jenë prezent edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mënyrë që të sqarojnë, sipas tij, papërgjegjësinë në angazhimin për sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës.

Tahiri ka kërkuar që kryeministri Kurti që në vend që të vizitojë Lezhën e Krujën të vizitojë Brukselin e qendra të tjera të rëndësishme, të cilat mund të ndihmojnë Kosovën në sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës.

Debati i dytë, Tahiri tha se do të jetë gjendja në sistemin arsimor në Kosovë, ku theksoi se nuk mund të lejojnë që edhe viti 2021 të jetë i dështuar sa i përket arsimit. Tahiri shtoi se rreth 345 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës, sot kanë mbetur pa një plan konkret dhe pa mbështetje nga ana e qeverisë.

Ai ka pasur kritika ndaj qeverisë Kurti edhe sa i përket gjendjes ekonomike, ku tha se ende nuk dihet cila do të jetë pakoja e ardhshme e rimëkëmbjes.

Tahiri: Nuk mund ta lejojmë që edhe viti 2021 të jetë një vit i humbur në arsim

“Ne jemi dëshmitarë që viti 2020 ka qenë vit i humbur sa i përket arsimit në Republikën e Kosovës, mirëpo në asnjë rrethanë nuk mund ta tolerojmë dhe nuk mund ta lejojmë që edhe viti 2021 të jetë një vit i humbur. Në anën tjetër nuk shohim kurrfarë projekti, nuk shohim kurrfarë angazhimi, nuk shohim kurrfarë strategjie të ministres së Arsimit sa i përket efikasitetit dhe organizimit më efikas të mësimit online...Është debati që ndërlidhet me situatën ekonomike në Republikën tonë, pra ende nuk e kemi një qartësi në implementimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike, ende nuk kemi një qartësi se çdo do të ndodh me ata 60 mijë qytetarë që tashmë kanë i kanë humbur kontratat e punës nga punëdhënësi në sektorin privat, ende nuk kemi kurrfarë qartësie dhe strategjie të kësaj qeverie qoftë edhe në fillimet e saja se cila do të jetë pakoja e ardhshme për rimëkëmbjen, cili do të jetë angazhimi i kësaj qeverie në mbështetjen e bizneseve, në mbështetjen e shumë qytetarëve të cilët tashmë bizneset e tyre kanë falimentuar si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, tha se nga qeveria aktuale po shohin mbyllje të patakta e të cilat po shkaktojnë probleme të mëdha ndaj bizneseve. Ai shtoi se janë që të merren masa që të kujdesen për shëndetin e qytetarëve, por në anën tjetër u shpreh se duhet t’iu dalin në ndihmë bizneseve.

Kritika ka pasur edhe për mungesën e programit qeverisës nga ana e Qeverisë së Kosovës, derisa ka komentuar edhe mungesën e mbajtjes së seancave në Kuvendin e Kosovës.

Tahiri: Një ekip qeveritar vjen me plan konkret për të qeverisur vendin dhe ai po duket që nuk i ka

“Ju jeni dëshmitarë të asaj që kryeministri i Republikës së Kosovës në seancën e kaluar tha që po e bëjmë skanimin e gjendjes dhe pastaj do ta bëjmë programin duke u bazuar në të gjeturat dhe ky është gabimi dhe dështimi më i madh, sepse një ekip qeveritar vjen me plan konkret për të qeverisur vendin dhe me plane konkrete dhe ai po duket që nuk i ka. Kështu që, ne si Kuvend varemi shumë edhe nga iniciativat e qeverisë që po duket kanë me qenë tejet të mangëta dhe që po duket që do të jenë shumë të pakta”, tha Tahiri.

Tahiri: PDK inicon tri debate parlamentare për gjendjen alarmante të pandemisë në Kosovë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deponuar sot në Kuvend tri kërkesa për debate parlementare për gjendjen alarmante të pandemisë në Kosovë.  

 Tahiri tha se debati i parë që do të mbahet do të jetë për dështimin e qeverisë për sigurimin e vaksinave anti covid. Ai tha se ka qenë premtim i Albin Kurtit që brenda këtij viti do të vaksinohet 60 përqind e popullsisë, por qeveria e tij nuk i ka siguruar deri më sot as edhe 60 vaksina të vetme. 

“Kosova vazhdon të jetë në hartën e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit, dhe kjo paraqet jo vetëm shqetësim por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve tanë”, tha Tahiri.

 Kreu i deputetëve të PDK-së tha se debati i dytë parlamentar do të mbahet për organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në këto rrethana pandemie. 

“Viti që lamë pas, fatkeqësisht ishte vit i humbur për sistemin tonë arsimor. Nuk mund ta pranojmë që edhe viti 2021, të jetë një vit i humbur për arsimin dhe për gjeneratat e nxënësve që vijojnë shkollimin në çdo nivel. Kjo nuk është temë e rëndomtë. Po flasim për rreth 345 mijë nxënës në arsimin para universitar, 23 mijë mësimdhënës të cilët sot kanë mbetur pa një plan konkret, pa mbështetje dhe pa mjete për ta realizuar agjendën e arsimit në vend”, tha Tahiri. 

Tema e tretë që PDK do të kërkojë të debatohet në Kuvend është gjendja e rënduar ekonomike nga pandemia.

 “Nuk kemi parë asnjë plan konkret dhe asnjë ide konkrete se si qeveria Kurti do t’i menaxhojë pasojat e pandemisë në ekonomi. Nuk kemi kuptuar se çfarë do të ndodhë me Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike që është miratuar në Kuvendin e Republikës. Aktualisht kemi rreth 60 mijë qytetarë të papunë dhe mijëra biznese që kanë falimentuar gjatë pandemisë. Nuk mund të presim që ekonomia, bizneset dhe ndërmarrësit të mbesin në disponimin ditor e javor të kryeministrit apo ministrit të shëndetësisë të cilët vendosin kuturu ta mbyllin vendin për një javë e për dy javë, pa pasur një plan konkret për menaxhimin e pasojave ekonomike të kësaj mbyllje”, tha Tahiri. 

Ai tha se kjo nuk është betejë politike përballë qeverisë, por adresim i temave që lidhen me fatin e përditshëm të qytetarëve.

 “Qytetarët paguajnë taksa, në mënyrë që qeveria me taksat e tyre të ofrojë zgjidhje për probleme si këto. Nuk ka prioritet më të madh sot për sot, sesa mbrojtja e jetës përmes vaksinimit, mbështetja e ekonomisë përmes subvencionimit, dhe ruajtja e gjeneratave përmes sigurimit të arsimit”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat