Pasi pranojnë fajësinë, dënohen babë e bir të akuzuar për shmangie nga tatimi në vlerë mbi 46 mijë euro

Aktuale

Pasi pranojnë fajësinë, dënohen babë e bir të akuzuar për shmangie nga tatimi në vlerë mbi 46 mijë euro

Më: 16 prill 2021 Në ora: 13:24
Pamje nga seanca

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga një vit burgim me kusht dhe me nga 2,000 euro gjobë, babë e bir, Shaip dhe Tomor Krasniqin, pasi të njëjtit e kanë pranuar fajësinë për shmangie nga tatimi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse dy të akuzuarit në afat prej 18 muajsh nuk kryejnë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të njëjtit janë obliguar që bashkërisht në afat prej 18 muajsh të kompensojnë Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), me dëmin e shkaktuar në vlerë prej 46,503.90 euro

Mirëpo, në rast se të akuzuarit nuk e kompensojnë dëmin ndaj ATK-së brenda kësaj periudhë, atëherë dënimi i shqiptuar me kusht do t’iu shndërrohet në dënim me burgim efektiv.

Po ashtu, nëse të akuzuarit nuk e paguajnë gjobën prej 2,000 euro, atëherë dënimi me gjobë do t’iu shndërrohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur nga 20 euro për një ditë burgimi.

Në seancën e së premtes, të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, dy të akuzuarit kanë deklaruar se e pranojnë fajësinë.

Këtë pranim të fajësisë e kanë mbështetur edhe mbrojtësit e akuzuarve, avokatët Visar Vehapi dhe Shemsi Uka, të cilët kanë deklaruar se ishin konsultuar mjaftueshëm me të mbrojturit e tyre dhe pasi ua kishin shpjeguar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, të njëjtit vullnetarisht kishin vendosur të pranojnë fajësinë.

Pasi edhe prokurori special Dren Paca ka kërkuar nga gjykata që të aprovojnë këtë pranim të fajësisë, në fund edhe trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Suzana Qerkini, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve Krasniqi.

Prokurori Paca ka kërkuar që të njëjtit të shpallen fajtor dhe t’iu shqiptohet dënim meritor, si dhe të obligohen që të kompensojnë dëmin e shkaktuar, por sipas tij, gjykata me rastin e matjes së dënimit, duhet të ketë parasysh pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve si rrethanë lehtësuese.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Shaip Krasniqi, avokati Visar Vehapi ka dhënë disa arsye që i kishte shtyrë të akuzuarit që t’i shmangen tatimit.

Sipas tij, i akuzuari Shaip Krasniqi kishte filluar një iniciativë biznesi në dy shtete të Afrikës, në Ganë dhe Kenia, ku kishte investuar shumë të konsiderueshme të mjeteve, të cilat mjete i  kishte huazuar edhe nga persona të tjerë, por pasi i kishte humbur të gjitha investime, ishte detyruar t’ia shesë një patundshmëri blerësit Blerim Devolli, të cilën pronë e kishte pasur në emër të ndërmarrjes së tij “Voltek”.

Sipas avokatit, i akuzuari Krasniqi nuk kishte qenë në dijeni se nga shitja e pronës duhet të paguajë ndonjë tatim dhe se nëse do të ishte prona e identifikuar në emër të personit fizik, nuk do të paguante tatim.

Ai ka thënë se i akuzuari Shaip Krasniqi, nga kontabilistët e kompanisë së tij ishte bindur se tatimi ishte dashur të paguhet vetëm për objekte, lokale e banesa, por jo edhe për patundshmëri.

Sipas avokatit Vehapi, ai asnjëherë nuk i ishte shmangur detyrimit ndaj ATK-së dhe ishte zotuar se këtë tatim do ta paguajë, por pamundësitë financiare, dështimet në veprimtarinë që e kishte filluar në Afrikë, ia kishin pamundësuar një gjë të tillë.

Për këto arsye, avokati Vehapi ka kërkuar që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim me kusht, pasi sipas tij ishte dënim i mjaftueshëm që tek i mbrojturi i tij të arrihet efekti që në të ardhmen të mos bëjë ndonjë vepër penale të kësaj natyre.

Po ashtu, ai ka kërkuar që brenda periudhës së dënimit me kusht, të obligohet i akuzuari Shaip Krasniqi që ta paguajë pjesën e mbetur të tatimit, prandaj sipas tij, dënimi me kusht do të ishte një garancë se borxhi ndaj ATK-së do të shlyhet në tërësi.

Për shkak se vepra penale nga ana e dy të akuzuarve ishte kryer në bashkëkryerje, mbrojtësi i të akuzuarit Tomor Krasniqi, avokati Shemsi Uka ka mbështetur avokatin Vehapi, duke kërkuar dënim me kusht për të mbrojturin e tij.

Ndryshe, paraprakisht dy të akuzuarit kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësinë me PSRK-në, mirëpo kjo marrëveshje ishte refuzuar nga ana e gjykatës.

Në këtë marrëveshje dënimi i rekomanduar kishte qenë dënim me burg prej 180 ditëve, me mundësi zëvendësimi me gjobë dhe gjoba në lartësi prej 1,500 euro për secilin veç e veç, si dhe zbatimi i kësaj marrëveshje ishte kushtëzuar me pagesën e obligimeve tatimore nga të akuzuarit, apo arritjen e një marrëveshjeje të tillë me ATK-në dhe atë për shumën prej 23,251,95 euro për secilin nga të akuzuarit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me 31 maj 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Shaip dhe Tomor Krasniqit, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit në bashkëkryerje në periudhën 2013-2014 si bashkëpronar të biznesit N.T.P. “VOLTEK”, nuk i kishin përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tyre të fituara përmes biznesit dhe transaksioneve të tjera, edhe pse kishin qenë të obliguar që ti deklaronin në Administratën Tatimore ë Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e shitblerjes së paluajtshmërisë së Blerim Devollit, në shumë prej 2,000.000 euro, sipas kontratës së shitblerjes së datës 18 nëntor 2013, nga qarkullimet e tyre të pa deklaruara kishte rrjedhur shuma e shmangies nga tatimi 46,503,90 euro, së bashku me 9,600 euro nga kontributet pensionale për vitet 2013 dhe 2014.

PSRK, po pretendonte se më këtë shumë është dëmtuar buxheti i ATK-së dhe i Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat