Ismaili për mungesën e barnave: Kërkojmë nga Qeveria zgjidhje jo arsyetime

Aktuale

Ismaili për mungesën e barnave: Kërkojmë nga Qeveria zgjidhje jo arsyetime

Më: 16 prill 2021 Në ora: 18:16
Uran Ismaili

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar pas paralajmërimit të Qeverisë për mungesë të barnave.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky është lajm i keq për shëndetin dhe ekonominë e familjarëve të qytetarëve.

Sipas tij, në mungesë të barnave, qytetarët do të duhet të blejnë barnat nga buxheti i tyre familjar, që edhe ashtu është i tejet i rënduar nga pandemia.

“Sot pres nga qeveria që qytetarëve tanë t’u ofrojë zgjidhje, e jo arsyetime” shkruan Ismaili në Facebook.

Postimi i plotë:

Paralajmërimi i sotëm i Ministrisë së Shëndetësisë se Kosova do të përballet me mungesë të barnave në institucionet publike shëndetësore është lajm shumë i keq për shëndetin dhe ekonominë familjare të qytetarëve. Në mungesë të barnave, qytetarët do të duhet të blejnë barnat nga buxheti i tyre familjar, që edhe ashtu është i tejet i rënduar nga pandemia.

Duke parë shpenzimet e larta të qytetarëve, gjatë udhëheqjes së Ministrisë së Shëndetësisë, kemi rritur vazhdimisht buxhetin për blerjen e barnave. Në vitin 2017 e gjeta këtë buxhet me 25 milionë Euro. Pas shumë konsultimeve, arritëm që në vitin 2019 të rrisim buxhetin për barna në mbi 40 milionë Euro. Ndërsa sot, në kushte pandemie, në kohën kur ky buxhet do të duhej të vazhdonte të rritej, ai ka rënë në rreth 21 milionë Euro.

Ulja drastike e buxhetit për barna për vitin 2021 minon përpjekjet që i kishim bërë për furnizim stabil të institucioneve publike shëndetësore me barna. Më vjen shumë keq që projektimet buxhetore që kishin filluar në 2018 dhe që dhanë rezultat u ndërprenë në krizën më të madhe shëndetësore. Praktikat e mira menaxheriale në shëndetësi duhet të vazhdohen përtej mandateve qeveritare. Sot pres nga qeveria që qytetarëve tanë t’u ofrojë zgjidhje, e jo arsyetime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat