​Të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin e masakrave: Trupat u djegën dy herë

Aktuale

​Të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin e masakrave: Trupat u djegën dy herë

Më: 17 prill 2021 Në ora: 16:11
Drenas

Çdo ditë ecin në gjurmët që lanë më të afërmit e tyre. Shohin vendin ku u masakruan, e u djegën dy herë, për më tepër kanë dëshmitë edhe të gjërave që lanë përreth, të gjakut në muret e shtëpisë ku ndodhi masakra. Kujtimet e familjarëve, dëshmitarëve dhe të mbijetuarve janë të freskëta për ditën e tmerrshme të 17 prillit në Poklek dhe Çikatovë të Drenasit. Ata kanë parë vrasje, masakra, janë dëshmitarë, por nuk po mjafton për vendosjen e drejtësisë. Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për këto masakra.

Derisa gjaku nuk është tharë ende në muret e shtëpisë ku ndodhi masakra më e madhe, po shpresohet për ndëshkimin e kriminelëve serbë. Shtëpia në fshatin Poklek është kujtim i rëndë për banorët e kësaj ane.

Më së rëndi e përjeton Leutrim Caraku, i cili ishte nëntëvjeçar kur u vranë 53 civilë shqiptarë. Për më tepër pa masakrimin e nënës, vëllezërve dhe bashkëfshatarëve.

Caraku: Kokën e vëllait e kom pas në trup, gjaku i tij më kish mbuluar krejt

“Në atë moment e kam pa që mu kanë gju shumë trupa përmbi, më kish hup vetëdija. Pas se di save më dul pak, e hapesha njërin sy, e shihesha atë duke gjuajtur, shkelke me kallash, shikojke a i ka mbyt krejt. Unë e kisha pas kokën e vëllaut në këtë pjesën këtu, e preka, gjaku i tij më kish pas mbuluar krejt. Edhe ai ka gjuajtur derisa ja ka marrë mendja që i ka mbyt krejt, i ka shkel. Edhe janë dal prej këtu kanë shkuar ku kanë qenë të vendosur krejt. U zgjua Lumja, ajo është gjallë bashkë me Arbeniten, ka thënë kush është gjallë qohuni. Jam zgjuar unë, ka pasur të gjallë por nuk kemi mundur t’i nxjerrim. Ka qenë djali i axhës i plagosur në këtë pjesën këtu, po ai kish pas shumë trupa sipër, u mundoheshim të nxjerrim me Lumen po nuk mujshim”, rrëfen ai.

Nëntëvjeçari, në atë kohë, kujton mirë se si ishte munduar të shpëtojë edhe bashkëfshatarë të tjerë, e që disa të tjerë kërkonin edhe ujë, por nuk kishte mundësi t’i ndihmonte.

Caraku: E kërkoja nënën, se nuk e pashë hiç

“Unë në atë kohë fillova e kërkoja nënën, se nuk e pash hiç. E lypsha ku është, jemi hy edhe një herë me këqyr. Lumja tha duhet me dal prej këtu se mos po vijnë ata. Ne jemi dalur prapa shtëpisë, tani janë ardhur ata e i kanë djegë këtu kufomat”, shton ai.

Thotë se është i dëshpëruar se si ende pas sa kohësh nuk është vendosur drejtësia për më të dashurit e tij dhe fshatarët e tjerë.

Për këtë nuk ka as edhe një fije shpresë as edhe Fadil Muqolli, pronar i shtëpisë ku ndodhi masakra.

Muqolli: Jam i zhgënjyer thellësisht

“Asgjw s’është bërë, drejtësi në Kosovë veç në letër ka. 22 vjet janë bërë, asnjë prokurorë, asnjë gjykatës, asnjë hetues në këtë vend nuk ka qenë. Këso masakre familjare në Kosovë nuk ka masakër më të madhe. Se anëtarët e një familje, baba me katër vëllezër i ka të vrarë këtu 33 persona. Është formuar një gjykatë për krime lufte, këtu një departament që 4 vjet ka 250 ditë pune nëse i bëjnë është 1000 ditë. A kanë mundur tw vijnw pwr t’i evidentuar, me i marrë në pyetje dëshmitarët se po ndërrojnë jetë përditë edhe me i lenë në sirtarë. Këtë kanë mundur ta bwjnw... Asnjë fije shprese nuk e kam për këtë vend, asnjë fije. Jam i zhgënjyer thellësisht”, thekson ai.

Fjalë më të mira nuk ka as për drejtësinë ndërkombëtare, që sipas tij po bëjnë shkelje të madhe. Muqolli ende jeton me kujtimet e 13 anëtarëve të familjes.

Muqolli: Në këtë masakër kam humbur 14 anëtarë të familjes

“Në shtëpi lart janë vrarë 51. Aty së pari e kanë hap derën ua kanë gjuajtur një bombë. Kur u qetësuar gjendja e kanë hap derën edhe kanë hy me automatikë edhe kanë gjuajtur derisa ai ka menduar që i kanë vrarë të gjithë. Në këtë masakër janë kthyer prapë aty edhe i kanë djegë dy herë. Në këtë masakër janë shpëtuar, janë dalë të gjallë gjashtë persona... Janë vrarë 23 fëmijë. Anëtarët të familjes së ngushtë në këtë masakër i kam pasur 14. Babën, motrën, katër motrat, bashkëshorten me katër fëmijët, një vajzë e tre djem, dhe bashkëshortja e vëllaut me dy vajza.. vajza e vogël ka qenë gjashtë-muajshe, ka lindur në luftë”, shprehet Muqolli për KosovaPress.

Familjarëve të 21 viktimave të fshatit të Çikatovës së Vjetër, pak vjet më parë u janë dorëzuar mbetjet e të afërmeve të tyre. Trupat e tyre u gjenden në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës së Serbisë.

Ish-ushtari i UÇK-së, Haki Morina bashkë me ushtarët e tjerë e kishte varrosur babën dhe axhën e tij të vrarë, por që më pas paramilitarët serbë duke u munduar të fshihnin gjurmët e krimeve, i zhvarrosën ata për t’i zhdukur për 16 vjet.

Morina: Brenda natës me ushtarë i kemi varrosur aty ku u vranë

“Unë e kam babën e vrarë, axhën, axhën e babës, kushërinjtë krejt të gjakut. 24 kufoma janë vetëm të lagjes Morina që janë të masakruar. Me 17 prill janë masakruar nëpër vende të caktuara, shtëpi të caktuara, i kanë ndarë meshkujt prej femrave, i kanë pushkatuar dhe masakruar nëpër vende të ndryshme. Pas 17-tit, se unë kam qenë ushtar i UÇK-së në brigadën 114 ‘Fehmi Lladrovci’, pasi e kemi marrë lajmin për këtë tragjedi…e kemi marrë lajmin prej familjarëve që i kanë përzon prej këtuhit. Kemi ardhur natën me një grup të ushtarëve, shokë, e kemi zbuluar vendin, i kemi gjet kufomat e masakruara edhe brenda natës kemi pasur mundësi me ushtarët të luftës me i varros nëpër vende ku janë pushkatuar që mos me i lanë mbi tokë kufomat për me luajtur serbët. Edhe pse si kanë gjet mbi tokë, pasi i kemi varrosur, pas një kohe i kanë marrë me bagera dhe i kanë zhvendos kufomat edhe i kanë dërguar në Rashkë, e pas një kohe i kemi gjet në grupin e Rezallës”, ka rrëfyer ai.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se është i zhgënjyer me institucionet e vendit dhe drejtësinë ndërkombëtare. Dhimbjen për të afërmit e tyre, thotë se po ua rëndon kjo gjendje dhe gjuha e ashpër e krerëve të Serbisë, të cilët edhe më tej mohojnë gjenocidin e kryer në vend.

22 vjet më parë, në dy vendet, nga masakra në fshatin Poklek dhe Çikatovë e Vjetër të Drenasit, ushtria serbe ka masakruar, vrarë, djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat