Tahiri: Qeveria dështoi ta mbrojë jetën e qytetarëve, Kurti e Vitia të sqarohen qysh sonte

Aktuale

Tahiri: Qeveria dështoi ta mbrojë jetën e qytetarëve, Kurti e Vitia të sqarohen qysh sonte

Më: 17 prill 2021 Në ora: 16:29
Abelard Tahiri

(E plotësuar 17:00) - Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetsisë, Arben Vitia që të sqarohet për dështimin e nënshkrimit të kontratës për furnizimin me vaksinat Pfizer.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri ka thënë se dokumentet e publikuara dje në media, tregojnë qartë dështimin e qeverisë aktuale. Për më tepër, ai ka bërë thirrje që prokuroria të mos bie nën ndikimin e kryeministrit Kurti.

Sipas tij, ajo çfarë u tha mbrëmë nga ministri Arben Vitia është e pamjaftueshme dhe ngjallë më shumë dyshime për sigurimin e vaksinave për imunizim. Në një konferencë për media, Tahiri tha se PDK është duke ndjekur me shqetësim, dështimin e nënshkrimit të kontratës për sigurimin e vaksinave.

Tahiri: Ky dështim është i qëllimshëm

“Ky dështim është i qëllimshëm, atë që parë dje nga ministri I Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zyrtarët e qeverisë, ai arsyetim është i paqëndrueshëm. Ne kërkojmë sot nga kryeministri Kurti dhe nga ministri Vitia që të dalin para qytetarëve të Kosovës, të jenë transparent, të jenë të qartë se pse ka dështuar ky furnizim i vaksinave në Republikën e Kosovës. Sot shtetet në botë janë në garë për të siguruar vaksinat, sepse janë në garë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës. Te ne numri i vdekjeve po rritet çdo ditë”, tha Tahiri në konferencë për media.

Ai ka shtuar se vetëm prej kohës kur është formuar qeveria e re, kanë vdekur 293 persona. Tahiri tha se pushteti po dështon në sigurimin e vaksinës dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Tahiri: Kompanitë nuk bëjnë marrëveshje me sekser

“Tashmë një gjë është e qartë që kompanitë të cilat prodhojnë vaksina për COVID-19, ato nuk bëjnë marrëveshje me sekser, ato bëjnë marrëveshje vetëm me shtetin. Dhe nëse dikush mund të sigurojë vaksinë në një vend është vetëm shteti. Jo ndërmjetësues që ndoshta kjo qeveri është duke kërkuar që të sigurojë përmes ndërmjetësuesve. Ju bëjmë me dije që një gjë e tillë është e pamundur “, shtoi ai.

Pas intervistimit të gazetarit nga prokuroria në lidhje me publikimin që thotë se Vitia nuk ka nënshkruar kontratën për sigurimin e vaksinave, Tahiri ka ftuar këtë institucion që të mos bie nën ndikimin e kreut të qeverisë.

Tahiri: E dënojmë sulmin e prokurorisë ndaj mediave

“Kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që mos të bie nën ndikimin e kryeministrit Kurti. Pra, sulmi ndaj mediave të lira në Republikën tonë është i papranueshëm. Nxjerrja në pah e dështimeve të Qeverisë së Kosovës, nxjerrja në pah e abuzimeve që mund të ndodhin nga qeveria dhe ministrat e kësaj qeverie janë tepër të rëndësishëm dhe këtë mund ta bëjnë vetëm mediat. Prandaj e dënojmë dhe denoncojmë çfarëdo sulmi që mund të bëhet qoftë nga prokuroria, qoftë nga kryeministri ndaj mediave tona të lira”, ka shtuar shefi i GP-së së PDK-së.

Më tej, ai i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës që sa më parë të mbledh kryesinë për caktimin e datës për diskutimin e kësaj çështje. Thirrje u ka bërë edhe shërbyesve civilë që të nxjerrin në pah parregullsitë dhe shkeljet e qeverisë.

***

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në vend që kanë të bëjnë me çështjen e vaksinave për COVID-19 si dhe raportimet e mediave të cilat më pas u përballen me presion nga ministrat e Kurtit dhe drejtësia.

Në këtë konferencë, ka folur Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Tahiri ka thënë se dështimi për vaksinat është i qëllimshëm dhe në lidhje me këtë, Kurti dhe Vitia duhet të japin sqarim qysh sonte.

Ai ka thënë se dështimi për sigurimin e vaksinës nga qeveria Kurti, është edhe dështim për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Dështimi është i qëllimshëm. Atë që kemi parë dje, ai arsyetim  është i paqëllimshëm. Kërkojmë nga Kurti e Vitia të dalin para qytetarëve dhe të tregojnë pse ka dështuar procesi i vaksinave. Numri i vdekjeve te ne po rritet çdo ditë. A nuk është kjo e mjaftueshme që prej se është emëruar kjo qeveri, janë 293 vdekje. Dështimi për sigurimin e vaksinës, është dështim për të mbrojtur jetën e qytetarëve.  Ne kërkojmë sqarim nga kryeministri që dje organizonte konferencë për donacionin që erdhi me vaksinat. Sot e ka detyrë të jap sqarim pse dështoi kontrata me Pfizer” ka thënë ai.

Tahiri ka folur edhe për sulmet ndaj mediave nga pushteti i Kurtit, duke thënë se mediat janë faktor kyç në angazhimin e tyre në nxjerrjen në pah të abuzimeve të qeverisë dhe ministrave.

Tutje, Tahiri ka bërë thirrje që sa më shpejtë të jetë e mundur të thirret seancë për çështjen e dështimit të sigurimit të vaksinave.

“Tashmë është e qartë se kompanitë e vaksinave nuk bëjnë marrëveshje me sekserë por me shtete. Kërkojmë nga Prokuroria që të mos bie në ndikimin e Kurtit. Sulmi ndaj mediave të lira është e papranueshme. Nxjerrja në pah e abuzimeve të qeverisë dhe ministrave është shumë e rëndësishme dhe këtë e bëjnë vetëm mediat. Angazhimi i mediave në këtë drejtim është tejet i rëndësishëm. Bëjmë thirrje që sa më shpejtë të thirret seanca për këtë çështje në Parlament. Ky kryeministër e ka obligim që të shpjegojë qartë se cilat kanë qenë arsyet e dështimit të këtyre vaksinave. Ju bëj me dije që Ligji për Sinjalizuesit është në fuqi dhe ai i mbron të drejtat e tyre. Heronjë janë ata që nxjerrin abuzimet që mund të ndodhin nga ministrat”, ka thënë Tahiri.

“I bëj thirrje Kurtit që të dalë që sonte dhe të jap sqarim për dështimin e nënshkrimit të kësaj kontrate. Ajo që është thënë dje nga Vitia është e pamjaftueshme. Kërkojmë që sonte të dilni dhe të tregoni pse keni dështuar”, ka thënë në fund ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat