Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë

Aktuale

Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë

Më: 18 prill 2021 Në ora: 19:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, nderuan sot dëshmorët dhe martirët që ranë për liri në Komunën e Prishtinës.

Të tre krerët shtetërorë fillimisht bën homazhe dhe vendosën lule në varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, duke vazhduar më pas në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut.

“Sakrifica e dëshmorëve qëndron e palëkundur në themelet e shtetit tonë. Pa sakrificën dhe rënien e tyre, nuk do të ishte e mundshme liria e popullit tonë, as shtetësia e pavarësia e vendit tonë”, tha z. Konjucfa.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca, së bashku me Presidenten Osmani, vazhduan me nderime tek varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Makoc të Gollakut, të një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë.

“Ky është një akt i qartë i gjenocidit mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, as gratë dhe pleqtë”, tha ndër të tjera Kryetari Konjufca.

Më pas, Kryekuvendari Konjufca takoi disa nga familjarët e të rënëve të Marecit, me ç’rast çmoi lart kontributin e më të dashurve të tyre dhënë për liri.

“Sa të ketë gjallë popull shqiptar, do të kujtohet dhe do të nderohet gjithmonë beteja e Marevcit, 27 dëshmorët dhe 16 martirët e rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin tonë”, theksoi pas homazheve Kryetari Konjufca.

Ndalesa e radhës e nderimeve e kryetarit të Kuvendit ishte te Monumenti Memorial i masakrës së Dyzit dhe Koliqit.

“Pjesa më e dhimbshme në këtë situatë është se nuk ka drejtësi”, tha Kryetari Konjufca para banorëve të fshatrave Dyz dhe Koliq.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca vlerësoi lart sakrificën e të rënëve dhe dëshmorëve nga Ribari i Vogël i Lipjanit, ku po ashtu ndaloi për të bërë homazhe.

Vazhdën e vizitave dhe nderimeve ndaj dëshmorëve, Kryetari Konjufca e përfundoi me nderime para shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat