"UNMIK-u filloi zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, por ky veprim i SHIK-ut pengoi ato"

Aktuale

"UNMIK-u filloi zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, por ky veprim i SHIK-ut pengoi ato"

Nga: H.O. Më: 19 prill 2021 Në ora: 09:39
Ilustrim

Profesori dhe opinionisti Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot”, ka folur tutje për qeverisjet e pasluftës, duke thënë se ‘komandantët’ e kanë marrë pushtetin me dhunë dhe kanë rrëzuar shtyllat e mbajtjes së shtetit. Sipas tij, shkatërruan ekonominë, arsimin e shëndetësinë dhe privatizuan thuajse ҫdo gjë.

“Vitet po kalonin dhe tani u bënë 22 vite pas çlirimit, komandantët te cilët me dhunë e kishin marrë pushtetin për çdo vit po e forconin pushtetin e tyre në çdo segment të jetës. Filluan hajnitë dhe plaqkitjet e shtetit për pasurim të paligjshëm, shkatërruan çdo gjë që ishte ndërtuar për 50 e me shumë vite në Kosovë. U rrëzuan shtyllat e mbajtjes së Kosovës, ekonomia ra ne dy gjunjë, arsimi dhe shëndetësia poashtu u shkatërruan, sepse qëllimi i tyre ishte pasurimi personal, të cilin edhe më shumë e arrijtën përmes të privatizimit gati falas të çdo gjëje që ekzistonte. Gati te gjithë komandantët sot kanë pasuri enorme të paligjshme”, thotë Maxharraj.

Ai thotë tutje se për të mbrojtur këtë pasuri të paligjshme askush nuk ndërmori asgjë për të hulumtuar edhe vrasjet politike që Kosovës i kanë dhënë hije të keqe.  

“Dhe për ta mbrojtë këtë pasuri askush nuk e kishte guximin të shkapurdhë e aq me pak të hulumtoi këto vrasje politike të cilat i dhënë hije të keqe shtetit. PDK dhe SHIK që dyshohet se qëndrojnë prapa këtyre vrasjeve, vunë embargo në to, askush nuk e kishte guximin të ndërmerr diçka në këtë drejtim, sepse komandantët e korruptuar edhe ata të SHIK-ut për këtë ishin kujdesë mjaftueshëm duke krijuar një prokurori, gjyqësi e cila dirigjohej nga ata dhe askush nuk e kishte guximin të ndërmerr diçka në zbardhjen e këtyre vrasjeve, anipse thuhet se organizatorët dhe urdhëruesit e këtyre vrasjeve vite me radhë janë në pozita udhëheqësie në organet shtetërore, kuvend, etj”, thotë ai.

Maxharraj thotë tutje se për zbardhjen e këtyre vrasjeve kishte filluar UNMIK-u, mirëpo me reagimin e ‘komandantëve’ dhe SHIK-ut e heshtën këtë ҫështje.

“Diçka në këtë drejtim në zbardhjen e këtyre vrasjeve ndërmori UMNIK në vitin 1999/2000, ajo ishte gati në zbulimin e 15 rasteve politike, por së shpejti reaguan Komandantët dhe SHIK dhe e shukatën këtë punë. Pastaj ndodhi vjedhja e dëshmive në policinë e Kosovës që as sot e kësaj dite nuk dihet se kush qëndron prapa kësaj”, tha Maxharraj.

Sipas tij, as LDK e cila realisht është deshtë të jetë më e zëshmja në zbulimin e këtyre vrasjeve pasiqë ishin vrarë dhe zhdukë shumë figura dhe aktivistë të njohur nga kjo parti nuk reagonte. LDK këto vrasje i përmendte vetë në kohë fushate sa për vota.

“Kështu duke e sharë PDK dhe SHIK-un erdhi në krye të LDK-së edhe antirugovisti i përbetuar i Ibrahim Rugovës Isa Mustafa i cili pas çdo fushate zgjedhore bënte alenacë me PDK dhe SHIK dhe i harronte vrasjet politike të anëtarëve të LDK, bile shkoi aq largë sa që SHIK-u u ulë edhe këmbëkryq në LDK. LDK fëmijëve të të vrarëve ua jepte ndonjë karrotë sa për t’i mashtruar apo ndonjë pozitë në pushtet. Bile LDK nuk bëri asgjë për zbulimin e këtyre vrasjeve edhe kur ishte në pushtet, kur e kishte ministër të brendshëm Skender Hysenin dhe së fundi edhe Agim Veliun të cilët jo vetëm që nuk ndërmorën asgjë në këtë drejtim por as që guxonin t’i përmendnin anipse ishin ministra, por si duket kishin shkuar aty për ta mbrojtë pasurimin e tyre të paligjshëm dhe të shefave te tyre se sa të ndërmerrnin diçka në këtë drejtim. Kjo tregon anulimin e Task Forcës nga e cila hetohej edhe vetë ministri Veliu”, thekson profesor Maxharraj.

Ai thotë se kaluan 22 vite të pasluftës dhe të vrasjeve politike në Kosovë nuk është ndërmarr asnjë hapë në zbardhjen e tyre, për arsye se i tërë pushteti ishte i kapur, i kidnapuar nga veta ata për të cilët qëndronin pas këtyre vrasjeve.

“Por, se a do ti hyjnë kësaj pune në zbardhjën e vrasjeve politike qeveria e Albin Kurtit dhe presidentja Vjosa Osmani, është një pikëpyetje e madhe. Dihet se LVV dhe Albin Kurti kishin averzi ndaj LDK dhe presidentit Ibrahim Rugova, bile shumë gjatë Kurti as që e ka vizituar varrin e presidentit Rugova deri në kohët e fundit, kurse Vjosa Osmani anipse me zemër e me shpirtë është një rugoviste nuk e di se sa e ka fuqinë për t’i hyrë kësaj pune, ani tani kur LDK e Isa Mustafës e përjashtoi nga partia, por e cila i mposhti në zgjedhjet e fundit vetëm pse ishte e drejtë, punoi drejtë, punoi sipas qëndrimeve dhe parimeve të LDK që si pëlqyen Isa Mustafës i cili me “zemër e shpirtë” ishte i dhënë dhe i lidhur me PDK, Hashim Thaçin dhe SHIK-un dhe për shkak të këtyre lidhje ai anashkaloi çdo gjë në LDK derisa edhe e shkatërroi definitivisht duke e rrëzuar fitoren e LDK në 12,7% me e ulëta në historinë e saj”, thotë Binak Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat