“Fotografia e Glaukut në darkë”, Konjufca u reagon portaleve: Kjo është vazhdimësi e luftës...

Aktuale

“Fotografia e Glaukut në darkë”, Konjufca u reagon portaleve: Kjo është vazhdimësi e luftës...

Nga: N.Sh. Më: 19 prill 2021 Në ora: 09:47
Glauk Konjufca

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj mediave të cilat, sipas tij, publikuan një fotografi të 17 shkurtit për të ia mveshur se ishte në një darkë të pa qenë.

Konjufca thotë se gjatë ditës së djeshme ishte me presidenten Vjosa Osmanin dhe me kryeministrin Albin Kurtin, fillimisht në homazhe te dëshmorët e Prishtinës e më pas te varri i Adem Demaçit dhe të dshmorët.

Pas kësaj ai tregon se shkoi në Makovc, e pastaj shkoi për të përkujtuar Betejën e Marecit.

Konjufca tregon se pastaj ishte edhe në përvjetorin e masakrës së Koliqit në Dyzë dhe në fund ishte ne fshatin Ribar të Lipjanit.

Ai thotë se nuk e kupton këtë fushatë të lajmeve të rreme përveç se vazhdimësi e luftës së atyre që nuk pajtohen me ndryshimet.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Mbrëmë isha cak i një sulmi të disa portaleve (Metro, Periskopi, Insajderi, Infokus dhe Lajmi.net) përmes një lajmi të rremë. U keqpërdor qëllimshëm një fotografi e 17 shkurtit pë të ma mveshur një darkë të pa qenë.

Unë dje, së bashku me Presidenten dhe Kryeministrin, fillimisht isha në homazhe te dëshmorët e Prishtinës me rastin e ditës që u kushtohet atyre. Më pas vazhdova te varri i Adem Demaçit dhe dëshmorët e rënë në krye me Afrim Zhitinë. Pas kësaj shkova në Makoc për t'i nderuar të rënët e këtij vendi e të Gollakut. Vazhdova për ta përkujtuar Betejën e Marecit ku ranë heroikisht 27 dëshmorë e 16 martirë mes 18 e 23 prillit të vitit 1999. Po këtë datë ishte edhe përvjetori i masakrës së Koliqit e Dyzit dhe unë isha atje po ashtu për të bërë homazhe. Dhe, në fund shkova edhe ne fshatin Ribar të Lipjanit meqë më 18 prill 1999 ushtria e policia serbe atje vrau 25 shqiptarë.

Shumica prej portaleve që e prodhuan lajmin e rremë nuk u morën fare me këto aktivitete të vërteta. Por ma mveshën një aktivitet të pavërtetë. Kjo është për keqardhje. Konsideroj që, në këtë mënyrë, nuk jam unë personalisht që po sulmohem, por pozita shtetërore e Kryetarit të Kuvendit. Për ta njollosur atë.

Nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë fushatë të lajmeve të rreme veçse vazhdimësi e luftës së atyre që nuk pajtohen me ndryshimet demokratike në vendin tonë. Beteja politike duhet të ndodh në rrafshin e fakteve dhe argumenteve. Kurse lajmet e rreme e dëmtojnë edhe demokracinë edhe gazetarinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat