KMDLNJ kërkon nga Këshilli Prokurorial që të ndërhyjë në dy raste

Aktuale

KMDLNJ kërkon nga Këshilli Prokurorial që të ndërhyjë në dy raste

Më: 19 prill 2021 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të shqyrtojë rastet e arrestimit të doktor Ibrahim Hotit dhe ndërhyrjen në punën e gazetës Insajder.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të shqyrtojë rastet e arrestimit të doktor Ibrahim Hotit dhe ndërhyrjen në punën e gazetës Insajder.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të KMDLNJ:

Ditë më parë Policia e Kosovës e arrestoi Dr.Ibrahim Hotin, pulmolog në Spitalin e Besianës me arsyetimin se paska refuzuar t’i ofrojë ndihmë një pacienti të moshuar dhe për shkak të sjelljes së tij e që u bë publik në një video që qarkulloi thuaja në të gjitha mediat. Duket se pikërisht kjo video ishte preteksti apo corpus delicti me të cilin në një mënyrë të pashembullt u arrestua një mjek shembullorë i cili thuaja për 40 vite i shërbeu mbrojtjes së shëndetit publik në Besianë dhe në Llap, pa u ngatërruar në asnjë aferë më parë dhe pikërisht në kohën para se të pensionohej. KMDLNj, në të gjitha reagimet, e sidomos tani në kohën e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 ka kërkuar që paraburgimi të jetë masë e skajshme dhe të zbatohet vetëm kur shterren masat tjera dhe në përputhje me rrezikun që paraqet për sigurinë e përgjithshme. Dr.Ibrahim Hoti, jo që nuk ka paraqitur rrezik për askënd por i është ekspozuar një rreziku duke trajtuar raste përtej numrit të paraparë në kohë të pandemisë. E kemi një situatë interesante; kur akëcili politikan shërohet nga COVID-19, për kujdesin ndaj tij e falenderon personelin shëndetësorë në të gjitha mediat duke i quajtur heronjë të Kosovës kurse, për një lëshim që do të duhej të trajtohej nga Komisioni Disiplinor, Dr.Ibrahim Hoti trajtohet si kriminel, madje disa media joprofesionale kontribuojnë për këtë parafytyrim! Dr. Ibrahim Hotit, familjes së tij, Spitalit në Besianë dhe personelit shëndetësorë të punësuar aty i është shkaktuar një dëm i madh moral, të reputacionit, dëmtimit të imazhit dhe vuajtje shpirtërore për një veprim joprofesional të Policisë dhe Prokurorisë, lehtësisht i evitueshëm dhe krejtësisht i panevojshëm siç ishte arrestimi i Dr.Ibrahim Hotit.

KMDLNj ka vizituar qendrat ku trajtohen pacientët e infektuar nga COVID-19 në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren, sidomos Klinikën e Pulmologjisë në QKUK-ë , Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe atë në Lagjen Emshir që është shndërruar në bazë ku trajtohet Covidi dhe ka vërejtur një përkushtim të madh të personelit mjekësorë i cili punon në kushte të vështira, në rrezik të përhershëm për veten e tyre por nuk kemi raste që nuk trajtohen pacientët. Aktualisht, në këto qendra ka mungesë të barërave që trajtojnë COVID-19 sikur që analizat e shpeshta duhet të bëhen në institucionet shëndetësore private e që paraqet shpenzime, thuaja të papërballueshme për shumicën e pacientëve. Çmimi minimal për trajtim të një pacienti me COVID– 19 në afatin 15 ditor është 600 euro.

Thuaja në të njëjtën kohë ishte një kërcënim për gazetën Insajder për faktin se paska bërë publik një dokument të Ministrisë së Shëndetësisë që llogaritej konfidencial kurse Policia ishte vënë në veprim pas thirrjes së politikës që të zbulojë burimin e rrjedhjes së këtij dokumenti. Realisht, sipas KMDLNj, kjo ndërhyrje dhe paralajmërimi për hetim përmes intervistimit të Drejtorit Ekzekutiv të Insajderit, Parim Olluri paraqet përpjekje direkte kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, kërcënim të mediave aq më parë që nuk ligj apo mekanizëm tjetër detyrues në Kosovë që ta tregoni burimin e informatës. Vetëm reagimi i shpejtë dhe i vendosur bëri që ndaj gazetës Insajder të pushojnë apo pezullohen hetimet .

Është interesant fakti që reagimi dhe presioni i disa mediave joprofesionale dhe të papërgjegjshme  ndikuan dhe krijuan në një skandal të papresedent që përfundoi me arrestimin e panevojshëm të Dr.Ibrahim Hotit kurse pikërisht reagimi i mediave dhe të tjerëve, ndoshta përkohësisht e shpëtoi gazetën Insajder nga përndjekja për disiplinim dhe nënshtrim ndaj politikës! KMDLNj kërkon dhe mendon që KPK–ës duhet seriozisht të merret me këto dy raste ; në rastin e parë kur aq lehtësisht arrestohet një mjek shembullorë, Dr.Ibrahim Hoti kurse në rastin e dytë kur aq lehtësisht sulmohet liria e fjalës përmes kërcënimit të gazetës Insajder! Që të dyja rastet KMDLNj i konsideron shkelje flagrante të drejtave të njeriut. Politika duhet t’i mbajë duart larg nga mediat e lira sikur që edhe mediat, di kriter kryesor duhet ta kenë standardin profesional e jo oportunitetin politik!

Edhe më parë KMDLNj ka kërkuar që për të gjitha rastet ku mediat me raportimin e tyre joprofesional, të pambështetur në fakte e dëmtojnë personalitetin e çdo individi, nga jeta publike, politike apo të tjera duhet të drejtohen në institucionet përgjegjëse për media apo, përmes padisë civile, edhe në gjykata. Askush nuk ka të drejtë që të linçojë publikisht një individ, politikan apo qytetar të Kosovës, pa argumente vetëm se ka mundësi dhe vetëm për të bërë lajm! Mediat duhet të jenë përgjegjëse për punën që e bëjnë, të krijojnë një opinion në përputhje me standardet profesionale dhe jo ta bëjnë lajm se kush, me kënd doli në darkë apo se kryeministri paska dalë në një shtëpi me qira nga banesa, gjithashtu me qira! Këto nuk janë lajme për media serioze, madje janë të padinjitetshme edhe për shtypin rozë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat