​KQZ e Kosovës do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri, e interesuar për sistemin elektronik

Aktuale

​KQZ e Kosovës do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri, e interesuar për sistemin elektronik

Më: 20 prill 2021 Në ora: 10:33
Valmir Elezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës do të vëzhgojë zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Një delegacion i KQZ-së në përbërje të të cilit do të jenë anëtarët e këtij institucioni dhe një staf nga sekretariati do të shohin nga afër edhe implementimin e votimit elektronik në një zonë të caktuar të Tiranës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi për KosovaPress se angazhimi i tyre nuk do të jetë vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe më herët, kur janë planifikuar takime me KQZ-në e Shqipërisë pikërisht për ndryshmet që pritet të implementohen më zgjedhjet e së dielës në Tiranë.

Elezi tha se vëzhgimi i zgjedhjeve të 25 prillit është edhe fryt i bashkëpunimit shumë të mirë që ka KQZ-ja e Kosovës me atë të Shqipërisë.

Elezi: KQZ e Kosovës do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri

“Në përbërje të delegacionit të KQZ-së që do të qëndrojë gjatë fundjavës në Shqipëri do të jenë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por edhe staf nga sekretariati i KQZ-së të cilët jo vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe më herët do të zhvillojnë takime të ndryshme me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve atje, me trupa të caktuara zgjedhore për të parë kryesisht se si do të bëhet implementimi i këtyre risive në procesin zgjedhor në Shqipëri. Të dy institucionet tona kanë bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe është në interesin tonë për të parë nga afër këtë proces zgjedhor dhe për faktin se këto zgjedhje mbahen pas ndryshimeve të fundit ligjore që janë bërë atje”, deklaroi ai.

Elezi konfirmoi se implementimi i votimit e numërimit elektronik që do të bëhet për herë të parë në Shqipëri është një gjë që i intereson edhe KQZ-së së Kosovës.

Ai shtoi se do të përqendrohen kryesisht për të parë si do të zbatohet ky proces në praktikë.

Elezi: Vëmendje e veçantë për identifikimin elektronik

“Vëmendje e veçantë gjatë procesit të vëzhgimit do t'i kushtohet sidomos kësaj fushe, sidomos identifikimet elektronike të votuesve që do të bëhet në të gjithë qendrat e votimit si dhe votimi po ashtu numërimi elektronik të fletëvotimeve në një zonë të caktuar në Tiranë. Këto janë projekte që realizohen për herë të parë në Shqipëri dhe do të shohim nga afër si po zbatohen ato në terren”, vijoi Elezi.

Mirëpo, a është ky vëzhgim nga afër i sistemit elektronik një paralajmërim se shumë shpejtë një sistem i tillë do të implementohet edhe në Kosovë? Elezi thotë se KQZ në vazhdimësi është munduar të përdorë teknologjinë brenda kornizës aktuale ligjore për të përmirësuar proceset zgjedhore në vend.

Sipas tij, implementimi i mundshëm i identifikimit, votimit dhe numërimit elektrik në Kosovë duhet të paraprihet nga një studim dhe analizë më e thellë e që duhej të pasoheshin edhe me ndryshime ligjore.

Elezi: Implementimi i sistemit elektronik në Kosovë kërkon ndryshime ligjore

“KQZ është munduar vazhdimisht brenda kornizës aktuale ligjore që të avancojë edhe këtë komponentë të rëndësishme besoj. Sot KQZ falë teknologjisë arrin që të publikojë shpejt rezultatet preliminare nga vendvotimet qysh në ditën e zgjedhjeve dhe po ashtu falë teknologjisë qytetarët tanë mund ta ndryshojnë qendrën e tyre të votimit pa pasur nevojë që të shkojnë në Komisione Komunale të Zgjedhjeve si dhe të mësojnë vendvotimin e tyre. Pra këto janë segmente që vihen re nga ana e publikut sa i përket teknologjisë që e përdor KQZ në procese zgjedhore ndërsa për të arritur deri te përdorimit i kësaj teknologjie më të avancuar nëse mund të themi kështu besoj që duhet studime dhe analiza më të thella dhe natyrisht edhe ndryshime ligjore për t'u mundësuar zbatimi i tyre në terren”, deklaroi Elezi.

Risia e radhës në zgjedhjet shqiptare parashikon që për herë të parë 23,619 votues në Tiranë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes dhe të numërimit të votave në mënyrë elektronike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat