Mungon i akuzuari, dështon të mbahet shqyrtimi i dytë në rastin për vjedhje rryme

Aktuale

Mungon i akuzuari, dështon të mbahet shqyrtimi i dytë në rastin për vjedhje rryme

Më: 20 prill 2021 Në ora: 11:06
Pamje nga seanca

Mungesa e të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Sahit Thaqi, u bë shkak që të dështoj të mbahet shqyrtimi i dytë i paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Sipas gjykatësit Njazi Morina, për seancën e së martës i akuzuari ka qenë i njoftuar nga procesverbali i seancës së 11 marsit 2021, por mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Morina, në mungesë të kushteve ligjore, seancën e ka shtyrë për 12 maj 2021, në ora 13:30, për të cilën tha se i akuzuari do të ftohet me urdhëresë përmes Stacionit Policor në Malishevë.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 29 mars 2019, Sahit Thaqi akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 14 shtator 2018, në shtëpinë e tij, në fshatin Mirushë, Komuna e Malishevës, me qëllim të fitimit në mënyrë të paautorizuar, ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u lidhur jashtë njehsorit direkt në rrjetin elektrik, me çka e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 277.86 euro.

Sipas aktit akuzues, me këto veprime i akuzuari Thaqi ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat