Opozita kritikon menaxhimin e pandemisë, thërret debat parlamentar

Aktuale

Opozita kritikon menaxhimin e pandemisë, thërret debat parlamentar

Më: 20 prill 2021 Në ora: 13:12
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të diskutojë për menaxhimin e pandemisë nga ana e institucioneve dhe çështjen e sigurimit të vaksinave kundër koronavirusit.

Kërkesa për debat parlamentar është bërë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, në opozitë, e cila ka kritikuar qeverinë për mosangazhim në sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit dhe menaxhimin e pandemisë.

Për këtë çështje do të diskutohet në seancën e së hënës (26 prill) të Kuvendit të Kosovës.

“Të vdesin 14 ose 15 qytetarë në ditë është gjendje alarmante. Ne po shohim që spitalet tona janë të stërmbushura dhe nuk po shohim një angazhim më të madh të qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së Shëndetësisë për fuqizimin e dhe mbështetjen e institucioneve shëndetësore”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, njoftoi se deputetët e AAK-së e kanë thirrur në raportim para Komisionit për Shëndetësi, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në mënyrë që të informohen për masat ndaj pandemisë, para mbajtjes së debatit parlamentar.

Qeveria e Kosovës, prej 6 deri më 18 prill kishte vendosur masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, përfshirë kufizimin e lëvizjes së lirë prej orës 22:00 e deri në 5:00 dhe mbylljen e lokaleve të gastronomisë. Por, më pas i lehtësoi këto masa.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Është thënë që Kosova do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Bashkimi Evropian më 20 prill njoftoi se deri në muajin gusht do të furnizojë Kosovën me 95,000 vaksina kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer/BioNtech në kuadër të një ndihme për vendet e Ballkanit Perëndimor./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat