LDK-ja i thotë “jo” protestave të iniciuara nga PDK-ja kundër Albin Kurtit

Aktuale

LDK-ja i thotë “jo” protestave të iniciuara nga PDK-ja kundër Albin Kurtit

Më: 20 prill 2021 Në ora: 14:34
LDK

Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka përjashtuar protestat për ta kundërshtuar Qeverinë “Kurti”.

Këtë paralajmërim e ka dhënë dy ditë më parë anëtari kryesisë së kësaj partie, Betim Gjoshi, i cili ka deklaruar se mungesa e programit qeverisës dy muaj pas 14 shkurtit, tregon se VV nuk ka çka të ju ofrojë qytetarëve

“Janë mjete demokratike, por asnjëherë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, Kishte deklaruar Gjoshi.

Media për këtë ka kërkuar përgjigje edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës se a do të jenë pjesë e protestës nëse kjo e fundit merr ftesë nga PDK-ja.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka thënë se ende nuk kanë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje, por ka mohuar që partia së cilës i përket është për të protestuar.

“Ne dallojmë nga PDK-ja, jemi të tjerë edhe nga të gjitha partitë dhe kështu që ne bashkërisht do ta marrim vendimin edhe pse LDK-ja nuk është e interesuar dhe deri sot nuk e ka parë të rrugës që të del në rrugë dhe të protestojë”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka treguar mënyrën se si do të protestojë LDK-ja ndaj kësaj Qeverisë, duke shtuar se nuk i ka besuar dhe nuk i beson aspak kryeministri Albin Kurti.

“Ne do të protestojmë dhe do të jemi opozitë jashtëzakonisht konstruktive në Kuvendin e Kosovës nëpër forume, të ndryshme, nëpër konferenca për shtyp, nëpër televizione dhe do ta japim fjalën tonë dhe do të mundohemi me i bind qytetarët që kjo Qeveri nuk është ashtu si ata e kanë prit, po mendoj për qytetarët sepse unë nuk kam besu asnjëherë në z.Kurti  dhe në Lëvizjen Vetëvendosje dhe vazhdoj mos me besu , zero është besimi im ndaj tyre”, është shprehur Bunjaku.

Kurse, sa i përket menaxhimit me pandeminë deputetja Bunjaku ka hedhur akuza të mëdha duke thënë se pandemia nuk po arrin të menaxhohet si duhet.

“Pandemia nuk është kah menaxhohet absolutisht.  Me ardhjen e z. Vitia refuzimi i nënshkrimit të kontratës për vaksina ku gjithë qytetarët po e presin atë vaksinë është një dështim jashtëzakonisht i madh”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë në rast se LDK-ja, merr ftesë nga pozita për të qenë pjesë e bisedimeve, Bunjaku ka thënë se nuk kanë ende vendim për këtë.

“Nuk e di, nuk ka ndonjë vendim në LDK për këtë çështje, unë nuk mundem me thënë kurgjo sepse nuk është diskutuar në forumet e LDK-së dhe ende nuk kemi vendim, edhe pse ata i kanë jashtëzakonisht numrat, nuk e shoh të arsyeshme bile LDK-ja me marr pjesë në bisedime, unë personalisht prapë po them që ende nuk është marrë ndonjë vendim në LDK”, ka thënë Bunjaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat