Kërkohet llogaridhënie për rritjen e shpenzimeve buxhetore të RTK-së

Aktuale

Kërkohet llogaridhënie për rritjen e shpenzimeve buxhetore të RTK-së

Më: 21 prill 2021 Në ora: 11:46
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

Në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere po vazhdon shqyrtimi i Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës(RTK) për periudhën janar - mars 2021m për të cilin buxhet anëtarët e saj kanë kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për shpenzimin e mjeteve financiare në këtë periudhë.

Në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere po vazhdon shqyrtimi i Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës(RTK) për periudhën janar - mars 2021m për të cilin buxhet anëtarët e saj kanë kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për shpenzimin e mjeteve financiare në këtë periudhë.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka kërkuar përgjegjësi për rritjen e shpenzimeve krahasuar me të hyrat buxhetore.

Muja tha se 322 mijë euro janë shpenzimet më të larta se të hyrat.

“Ju i keni raportuar afërsisht 3 milionë euro të hyra për janar-mars, në ndërkohë keni raportuar 3.3 milionë euro shpenzime, pra kemi një ndryshim prej 322 mijë euro që janë më tepër shpenzime se sa të hyra. Pra, pse është ky dallim”, tha Muja.

Për këtë rritje të shpenzimeve, drejtori i RTK-së Ngadhënjim Kastrati tha se kjo rritje ka ardhur për shkak të blerjes së kamerave për televizionin.

“Si menaxhment dhe si bord jemi munduar që të përmbahemi asaj që kishim planifikuar, pra buxheti i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës po ashtu ta shpenzojmë në bazë të planifikimit. Mundet me pasur në disa vije buxhetore tejkalim, por sigurisht që në fund të vitit duhet që të kemi barazim me atë të cilën e kemi planifikuar. Kemi investuar në kamera, për të cilat nuk do të investojmë në muajt në vijim. Pra, në tre mujorin e ardhshëm nuk do të blejmë më kamera, por do të barazohet buxheti[…]Besoj shumë që do të vijmë edhe aty që sa të jenë të hyrat aq edhe do të jenë shpenzimet, deri në fund të vitit”, tha Kastrati.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, anëtar i këtij Komisioni nga PDK-ja Bedri Hamza, theksoi se ky Komision duhet të merret seriozisht edhe me rregullimin e statusit dhe mënyrës së financimit të RTK-së, duke përfshirë edhe çështjen e pronave, që sipas tij, është një pengesë e madhe për punën në transmetuesin publik.

Hamza duke kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi për shpenzimin e parasë në RTK, ka kërkuar ndryshimin e ndarjes së mjeteve për RTK-në.

“Sa i përket mënyrës së alokimit të buxhetit ka pasur ndryshime në periudha të caktuara kohore, me ndryshimin e qeverive apo mandateve të kuvendit. Unë besoj që kur të sillet rishikimi i buxhetit, kjo mënyrë me u ndryshua, do të ishte e favorshme për RTK-në dhe njëkohësisht punë më pak për komisioni. Asnjë herë duke mos dashur me zvogëluar as transparencën as llogaridhënien për shfrytëzimin e parasë publike”, tha Hamza.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota, tha se buxheti është rezultuar me suksese, në këtë periudhë duke kryer shpenzimet ashtu siç është planifikuar për janar- mars 2021.

“Këto janë të dhënë të shpenzimeve sipas kodeve ekonomike që planifikohen të realizohen në periudhën në fjalë për tre mujorin. Kemi pasur edhe zvogëlime, në shumë fusha, shpenzimet për mëditjet që kanë të bjënë me udhëtimet zyrtare shpenzimet janë zero, kjo është për shkak të kufizimit të shkaktuar nga pandemia. Nga ana e aktivitetit të bordit si organ kemi synuar që të kemi transparencë të plotë në veprimtari për të gjitha shpenzimet të cilat janë të pasqyruara para jush”, tha ai.

Shqyrtimi i këtij raporti në kuvend është duke ndodhur ende nga deputetët anëtarë të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat