​Përplasen menaxhmenti i RTK-së me deputetë të pozitës, VV kritikojnë për nepotizëm

Aktuale

​Përplasen menaxhmenti i RTK-së me deputetë të pozitës, VV kritikojnë për nepotizëm

Më: 21 prill 2021 Në ora: 14:30
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

Me tensione të shumta ndërmjet menaxhmentit të RTK-së dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës është shqyrtuar Programi i Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës(RTK) për periudhën janar - mars 2021 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Deputetët e VV-së kritikuan për nepotizëm në RTK, ndërsa menaxhmenti i televizionit publik ka arsyetuar punësimet.

Megjithatë, edhe pas këtij debati të nxehtë prej rreth tre orësh, raporti dhe kërkesa për alokimin e mjeteve për tremujorin e dytë për RTK-në është shtyrë për mbledhjen e radhës së këtij Komisioni.

Këtë vonesë të mjeteve për transmetuesin publik e kundërshtuan drejtori i RTK-së, i cili tha se është një shantazh.

Fillimisht kryetari i Komisionit, Armend Muja ka kërkuar përgjegjësi për rritjen e shpenzimeve krahasuar me të hyrat buxhetore në këtë televizion. Ai tha se 322 mijë euro janë shpenzimet më të larta se të hyrat.

Muja: Pse janë shpenzuar 322 mijë euro më shumë se të hyrat?

“Ju i keni raportuar afërsisht 3 milionë euro të hyra për janar-mars, ndërkohë keni raportuar 3.3 milionë euro shpenzime, pra kemi një ndryshim prej 322 mijë euro që janë më tepër shpenzime se sa të hyra. Pra, pse është ky dallim?”, tha Muja.

Rritjen e shpenzimeve drejtori i RTK-së Ngadhënjim Kastrati e ka arsyetuar me faktin e blerjes së kamerave për televizionin.

Kastrati: Kemi tejkaluar shpenzimet për blerje të kamerave

“Si menaxhment dhe si bord jemi munduar që të përmbahemi asaj që kishim planifikuar, pra buxheti i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës po ashtu ta shpenzojmë në bazë të planifikimit. Mundet me pasur në disa vije buxhetore tejkalim, por sigurisht që në fund të vitit duhet që të kemi barazim me atë të cilën e kemi planifikuar. Kemi investuar në kamera, për të cilat nuk do të investojmë në muajt në vijim. Pra, në tremujorin e ardhshëm nuk do të blejmë më kamera, por do të barazohet buxheti… Besoj shumë që do të vijmë edhe aty që sa të jenë të hyrat aq edhe do të jenë shpenzimet, deri në fund të vitit”, tha Kastrati.

Ndërsa, anëtari i Komisionit, Visar Korenica nga VV-ja tha se RTK është “synonim i dyshimeve të vazhdueshme për keqpërdorime të shumta”. Ai propozoi që të formohet një komision hetimor që të analizohet gjendja në të cilën ndodhet RTK aktualisht.

Korenica tha se për punësimet pa kritere dhe keqpërdorimet e shumta, prokuroria të nisë hetimet dhe të zbardhë të gjitha dyshimet rreth RTK-së dhe siç tha ai të hedhë para drejtësisë personat përgjegjës.

Korenica: Kuvendi me urgjencë duhet ta shkarkojë bordin aktual të RTK-së

“Si e komentoni prevalencën e mbi 200 kontratave mbi vepër, a i janë nënshtruar rregullave të Prokurimit Publik, ku kemi raste të tilla në bazë të diskutimeve me palë të interesit kur në RTK është punësuar në pozitën e drejtorit Leutrim Thaçi, në pozitën menaxher i njësisë për të drejtat autoriale në RTK. Leutrimi është djali i Gani Thaçit. Po ashtu, kjo pozitë është e kundërligjshme pasi që është angazhim në pozitën e caktuar, jo si shërbim i posaçëm profesional. Po ashtu, me kontratë mbi vepër është punësuar edhe Festina Cakolli, gruaja e Leutrim Thaçit gjatë periudhës janar-mars 2021. Ndërsa, vëllai i Festina Cakollit, Arbëri, miku i Leutrim Thaçit është punësuar si kameraman. Është raportuar se në RTK është punësuar dhëndri i kryetarit të Bordit, Sali Bashotës. A bie kjo ndesh për shmangie të konfliktit të interesit?... Atë që duhet të bëj Kuvendi me urgjencë është kthimi i ligjshmërisë në këtë institucion, duke shkarkuar bordin aktual dhe zgjedhur një bord profesional, i cili do të pengonte degradimin e mëtejmë të transmetuesit publik”, tha Korenica.

Për këtë drejtori i RTK-së, Kastrati ka treguar arsyet e punësimeve të fundit në RTK, dhe theksoi janë të gatshëm për çfarëdo hetimi në televizion. Derisa mohoi se ka shkelur ligjin për punësim në transmetuesin publik.

Kastrati: Nuk jam aq budalla që të shti njerëz në punë dhe të shkel ligjin

“Beso që po me vjen shumë keq prej teje në çfarë niveli, çfarë pyetje dhe çfarë konstatime ke bërë sot, por megjithatë po mundohem të jap përgjigje për të gjitha çështjet të cilat i ngrite. Por, qysh e ke lexuar pikë për pikë komunikatën e sindikatës. E para nuk është mirë të hyhet me emra se kush është i punësuar e kush nuk është i punësuar, e dyta Leutrim Thaçin po e përmend se po dëshironi ta sulmoni tjetër kund, po doni ‘t’i gjuani’ ato sulme. I njëjti është punësuar 3 muaj ditë, është ekspert, ka bërë një ekspertizë për të cilën unë personalisht kam kërkuar dhe i kemi kursyer 55 mijë euro. I ka marrë tri rroga, nuk është më në punë. Festina Cakolli është e punësuar më 2016 a 2015, nuk e di saktë. Drejtor i përgjithshëm jam, kam të drejtë të hap konkurs dhe të marrë njerëz në punë. Unë vendosi dhe jep përgjegjësi te ju. A e kam tejkaluar buxhetin, por nuk vij unë të të tregoj ty, se cilin emër e kam marrë në punë dhe a me marr një gazetar a mos me marrë. Nuk jam unë aq budalla veç të shkoj e veç të shti në punë dhe të shkel ligjin. Jo more, e respektoj ligjin”, tha Kastrati.

Ndërsa, kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota duke iu përgjigjur deputetit Korenica tha se dhëndri i tij nuk punon aktualisht në RTK.

Bashota: Dhëndri im nuk punon tani në RTK

“Po lidhem me punësimin e dhëndrit tim në RTK, ejani shikoni në RTK dhe shikoni nëse punon dhëndri im. Jepi përgjegjësi publike, dhëndri im nuk punon në RTK. Prej që kam ardhur unë kryetar bordi, ai nuk është. Ka qenë një vijë tjetër që ka hyrë, ka qenë tre katër muaj me një kontratë tre-katër mujore. Ai nuk punon më. Ka punuar, por tash nuk punon. Asnjë familjar imi nuk është duke punuar tani në RTK”, tha Bashota.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, anëtar i këtij Komisioni nga PDK-ja Bedri Hamza, theksoi se ky Komision duhet të merret seriozisht edhe me rregullimin e statusit dhe mënyrës së financimit të RTK-së, duke përfshirë edhe çështjen e pronave, që sipas tij, është një pengesë e madhe për punën në transmetuesin publik.

Hamza duke kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi për shpenzimin e parasë në RTK, ka kërkuar ndryshimin e ndarjes së mjeteve për RTK-në.

Hamza: Nuk duhet të ndahet buxheti katër herë në vit për RTK-në

“Sa i përket mënyrës së alokimit të buxhetit ka pasur ndryshime në periudha të caktuara kohore, me ndryshimin e qeverive apo mandateve të kuvendit. Unë besoj që kur të sillet rishikimi i buxhetit, kjo mënyrë të ndryshohet, do të ishte e favorshme për RTK-në dhe njëkohësisht më pak punë për komisionin. Asnjë herë duke mos dashur të zvogëlohet as transparencën as llogaridhënien për shfrytëzimin e parasë publike. Mirëpo, në të kaluarën ka pasur praktika kur RTK-së iu kanë ndarë mjetet përmes Ligjit për ndarjet buxhetore dhe këto alokime janë bërë dy herë në vit, tash kjo katër herë në vit është më shumë pengesë dhe qet vështirësi në planifikimin dhe mbarëvajtjen e punës së RTK-së”, tha Hamza.

Anëtari i Komisionit nga LDK-ja Avdullah Hoti tha se nuk ka arsye të vonohet buxheti për televizionin publik, dhe se për çdo diskutim tjetër mund të ftohen për raportim bordi dhe menaxhmenti i RTK-së.

Hoti: Nuk ka arsye vonimi i buxhetit

“Të gjithë e dinë insistimin tim maksimal për transparencë të plotë financiare në të gjitha kapacitetet e ndryshme institucionale. Mendoj se kur deputeti shtron një pyetje ka plotësisht të drejtë edhe kur nuk ka të drejtë, ndoshta mund ta tejkalojë temën ashtu siç e tejkaluam sot... Unë mendoj personalisht se nuk kemi arsye të vonohet alokimi i buxhetit për tremujorin e dytë. Ne mund t’i ftojmë menjëherë javën tjetër për të dhënë përgjigje në pyetjet që i shtroi kryetari Komisionit ose deputetët tjerë që i ngritën shqetësimet e tyre”, tha ai.

Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj, tha se nuk është e drejtë të atakohet televizioni publik nga pozita, edhe pse pranoi se ka lëshime në këtë televizion.

Lekaj: Ka dobësi në RTK, por nuk duhet të atakohet

“Është e vërtetë që këta (RTK) kanë përgjegjësi të raportojnë pranë këtij Komisioni dhe themelues është Kuvendi i Kosovës, mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk na shtyn neve që pa të drejtë të atakohet një medium publik, në këtë rast RTK-ja. A ka dobësi? Ka dobësi dhe nëse e tërheqim një paralele mes televizionit publik me mediumet tjera private, këta kanë ngecur aq shumë sa që nuk e di qysh funksionojnë. Dhe tani ne nëse mendojmë që ne jemi financues dhe t’i qesim duart në mediumin publik, e keni gabim, s’do të mundeni t’ia arrini, sepse është fjala e lirë. Jemi në demokraci. Ne nuk mund të shkojmë aq sa të frikojmë çdo medium”, tha Lekaj.

Ndaj qëndrimit të deputetit të AAK-së, ka reaguar deputeti i VV-së Eman Rrahmani, i cili tha se këto deklarata nuk janë të sakta, pasi sipas tij kanë pasur ndikim në RTK sa kanë qenë në pushtet.

Rrahmani: Qe 20 vjet ju Pal Lekaj keni pasur ndikim në RTK

“Këto deklarime të deputetit Lekaj nuk janë asgjë më shumë se një moralizim jo i duhur këtu për shkak që nëse dikush ka ndikuar në këtë media dhe në mediat tjera, pikërisht jeni ju qe 20 vjet edhe këtë e dinë të gjithë qytetarët në gjithë politikën, edhe në media edhe kudo që keni qenë në secilin pozicion, si ministër edhe si deputet. Këto deklarime nuk mund t’ua shitni qytetarëve për shkak që ju kanë provuar 20 vjet. Kështu që janë kot”, tha Rrahmani.

Për këtë replikë pati deputeti Lekaj i cili kërkoi nga Rrahmani që këto akuza mund të drejtohen në organet e drejtësisë dhe është i gatshëm të ballafaqohet për çdo dyshim që mund të ngrihet këtu.

Lekaj: Duhet të të vijë turp që më drejtohesh kështu

“Janë organet, çka të kish për mua shko atje, se jeni mësuar të më atakoni, ndërsa po i merrni njerëzit, po të njëjtit t’i amnistoni në partinë e juaj. Unë nuk jam i tillë. Përballem me të gjithë ato, dhe prapë po e them, çdo qytetar, çdo kompani e njeh Pal Lekën dhe familjen për ndershmëri apo për ndonjë dobësi kudo që kam vepruar janë organet hetimore... duhet të të vijë turp që me drejtohesh kështu, nëse ki diçka janë organet hetimore ose ballafaqohem në gjykata për mashtrim, për shpifje”, tha Lekaj.

Në fund kreu i Komisionit, Muja tha se ky raport nuk mund të votohet këtë javë, dhe u vendos që me urgjencë si pikë e rendit të ditës për javën e ardhshme, si dhe shqyrtimi i kërkesës për alokimin e mjeteve buxhetore për tremujorin e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat