​Konjufca priti në takim delegacionin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal

Aktuale

​Konjufca priti në takim delegacionin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal

Më: 21 prill 2021 Në ora: 14:50
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të kryesuar nga Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme, Amer Kapetanoviq, shef i departamentit politik dhe Pranvera Kastrati, eksperte e lartë për lidhje ekonomike dhe digjitale.

Me këtë rast, Konjufca konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuuar në realizimin e zotimeve dhe përgjegjësive si shtet pjesëmarrës në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe atë të Procesit të Berlinit.

Ai tha se vetëm angazhimi i përbashkët i të gjitha shteteve pjesëmarrëse në kuadër të këtij mekanizmi mund të sjellë progresin e synuar dhe përmbushjen e zotimeve të dala nga Procesi i Berlinit, siç janë fuqizimi i institucioneve, forcimi i demokracisë, zhvillimi i inovacionit e digjitalizimit etj.

“Kosova, siç dihet, gjendet në fazën e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit dhe kjo i kontribuon përafrimit të politikave të përbashkëta publike drejt bashkimit në familjen evropiane”, tha ai.

Konjufca i njoftoi anëtarët e delegacionit lidhur me krijimin e institucioneve të reja, të dala nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, stabilitetin politik në vend, si dhe luftën kundër pandemisë COVID-19, përfshirë përpjekjet e vendit tonë për vaksinimin e popullatës.

Ndërsa, kryesuesja e delegacionit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, e njoftoi kryekuvendarin Konjufca mbi prioritetet afatshkurtra në nivel rajonal, ndër të cilat tregu i përbashkët ekonomik, lëvizja e lirë dhe njohja reciproke e kualifikimeve akademike.

Palët po ashtu u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në shtyrjen e agjendave të përbashkëta të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të dala nga Procesi i Berlinit, thuhet në një komunikatë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat