Kryesuesi i PZAP-së synon të jetë Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Aktuale

Kryesuesi i PZAP-së synon të jetë Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Më: 21 prill 2021 Në ora: 17:46
Shukri Sylejmani

Sot ka përfunduar afati i thirrjes publike për një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

E lidhur me këtë, Kuvendi i Kosovës ka publikuar listën e plotë të kandidatëve që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë Gjykatës Kushtetuese.

Në listën e publikuar janë gjithsej 11 kandidatë që synojnë të bëhen Gjyqtar të Kushtetueses.

“Deri më sot në orën 16:00, kanë aplikuar 11 kandidatë: Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Kuvendi.

Në mesin e këtyre kandidatëve që synon të jetë Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, është edhe Shukri Sylejmani nga Mitrovica, i cili më 16.02.2010, me dekretin DGJ- 007-2010, nga Presidenti i Republikës është dekretuar gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Sylejmani po ashtu, është Kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i emëruar nga data 12.10.2020.

Tutje, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se përkundër që sot është mbyllur afati për dorëzimin e CV-ve të kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, procesi është duke pritur edhe nominime të tjera eventuale nëpërmjet postës.

“Proceduara e përzgjedhjes së gjyqtarve do të vazhdojë konform Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat