Kosovë: Sfidat në vaksinimin e mjekëve kundër COVID-19

Aktuale

Kosovë: Sfidat në vaksinimin e mjekëve kundër COVID-19

Më: 21 prill 2021 Në ora: 22:53
Foto ilustrim

Në Kosovë që nga fillimi i procesit të vaksinimit kundër COVID-19, para më shumë se tre javësh, vetëm 48% e personelit mjekësor janë vaksinuar.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se nuk ishte e pritshme nje mungesë e tillë gatishëmrie e mjekëve për t’u vaksinuar.

“Numër që nuk e kemi pritur, ne kemi pritur së paku deri 75% duke marrë parasysh këtu çështje si fakti që disa janë ende të infektuar e disa sapo e kanë kaluar, por ka qenë numër befasues dhe dekurajues”, tha ai.

Sipas zotit Sejdiu janë dy arsye kryesore që kanë shtyrë mjekët të të kenë pikëpyetje rreth vaksimit.

“Çështja e ndërlidhjes së vaksinimit me nivelin e antitrupave që kanë tashmë ata që e kanë kaluar koronavirusin, sepse rreth 2 mijë mjekë e kanë kaluar, dhe çështja e dytë është periudha e sigurisë pas kalimit të virusit apo negativizimit. Shumë është manipuluar me atë se kjo ndërlidhet me tipin e vaksinës dhe mund të jetë edhe ky faktor por shumë pak mund të ndikojë pasi që edhe Agjensia e Barnave të Bashkimit Evropian ka dalë me sqarim se rreziku është shumë më i madh nga mosmarrja se marrja e vaksinës”, tha ai.

Në Kosovë imunizimi aktualisht bëhet me vaksinën AstraZeneca, pëdorimi i së cilës u pezullua në disa shtete evropiane për shkak të dyshimeve se ka shkaktuar në disa raste mpiksje gjaku.

Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që të mos ndërpritet imunizimi me këtë vaksinë sepse nuk ka të dhëna që e ndërlidhin ate më rastet me mpiksje gjaku.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, i tha Zërit të Amerikës se hezitimi për të marrë vaksinën është i paarsyeshëm ndërsa nënvizoi disa këshilla për ata që vaksinohen.

“Është mirë që të paktën pesë ditët e para te fillojnë me marrjen e aspirinës dhe pas marrjes së vaksinës të vazhdojnë me konsultat mjekësore në marrjen e aspirinës që na ndihmon si një antiagregues i gjakut i cili mund ta parandalojë trombo embolinë”, thotë zoti Lenjani.

“Nëse në Kosovë do të duhej të vaksinohen ta zëmë 800 mijë banorë, më së shumti që mund të jetë incidenca, siç është edhe në shtetet tjera, diku dy deri në tre veta mund të kenë komplikime ta zëmë me ngjizjen e gjakut dhe ky numër është shumë më i vogël sesa vdekjet mesatare nga Covidi që janë mbi 10 qytetarë të Kosovës çdo ditë”, thotë zoti Sejdiu.

Zoti Lenjani thotë se në të ardhmen kjo vaksinë duhet të jetë e detyrueshme meqë COVID-19 vazhdon të jetë rrezik i lartë për shëndetin publik.

“Qëllimi kryesor i profesionistëve të kujdesit shëndetësor duhet të jetë që të jenë model, udhërrëfyes për t’i motivuar jo vetëm profesionistët e kujdesit shëndetësor por edhe komunitetin në përgjithësi që të paktën ta arrijmë uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë”, thotë ai.

Kosova mori 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca përmes programit COVAX, në fund të muajit mars të këtij viti, duke u bërë vendi i fundit në Evropën Juglindore që nis këtë proces. Sipas të dhënave nga ministria e Shëndetësisë deri tash janë vaksinuar 19 mijë e 77 persona. Ndërkohë Komisioni Evropian tha të martën se 95 mijë doza të vaksinave të financuara nga Bashkimi Evropian do të arrijnë në Kosovë nga muaji maj deri në muajin gusht.

Në Kosovë numri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 shkoi të mërkurën në 102 mijë e 742, ndërsa në 2 mijë e 105 numri i atyre që kanë humbur jetën nga pasojat e kësaj sëmundjeje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat