​Komunitetit i biznesit kërkon nga Kuvendi fuqizimin e sektorit privat me trajtimin e ligjeve përkatëse

Aktuale

​Komunitetit i biznesit kërkon nga Kuvendi fuqizimin e sektorit privat me trajtimin e ligjeve përkatëse

Më: 22 prill 2021 Në ora: 13:00
Foto nga takimi

(E plotësuar 14:36) - Fuqizimi i sektorit privat, ndryshimi Ligji për investime të huaja dhe themelimi i Gjykatës Komerciale ishin ndër kërkesat kryesore të kryetarëve të Odave Ekonomike në takimet e ndara që ka zhvilluar kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Shala tha se e veçanta e kësaj legjislature do të jetë për ekonominë, pasi që ndërmarrjet, gastronomia dhe shumë sektorë të tjerë veprojnë në kushte të rënda si pasojë e pandemisë, dhe domosdoshmëritë kjo do të zë vend edhe në planin e punës së komisionit.

Shala: Kemi gatishmëri për çdo kërkesë të komunitetit të bizneseve

“Kemi gatishmërinë që të jemi të hapur për çdo lloj pune, sugjerimi, bashkëpunimi në proces e sipër, për çdo lloj iniciative sociale, ekonomike, biznesore, të ndërmarrësisë apo të investimeve strategjike që të bashkërendojmë brenda legjislaturës dhe asaj që lejon ligji dhe rrethanave zhvillimore ekonomike të vendit”, tha Shala.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ngriti në këtë takim disa shqetësimeve që kërkojnë të trajtohen sipas tij nga Kuvendi i Kosovës. Ai tha se rregullimi i tregut të energjisë, ligji i naftës dhe pasojat e shkaktuara nga pandemia te bizneset duhet të trajtohen në Kuvend.

Rukiqi: Ligjet të cilat ngecin së zbatuari, duhet të rishikohen nga parlamenti

“Bashkëpunimi me parlamentin dhe me këtë Komision është i rëndësisë së veçantë për shkak se në parlament dizajnohet pjesa kryesore politikave të ekonomisë. Edhe pse vijnë prej Qeverisë, aprovimi final i ligjeve filtrohet përmes komisioneve dhe pastaj janë ligjet, të cilat kur po hynë në zbatim në shumë raste po japin rezultate, por edhe në disa raste po kanë ngecje. Mendojë që këtu na duhet një rol më pro-aktiv edhe i yni dhe Komisionit”, tha Rukiqi.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arianit Zeka tha se kanë adresuar për Qeverinë 50 rekomandime për katër vjetët e qeverisjes së ardhshme, të cilat siç tha ai pret të merren në konsideratë, dhe shpreson që të njëjtat rekomandime do të gjejnë vend edhe për Kuvendin e Kosovës.

Zeka tha se një pjesë e këtyre rekomandimeve kanë të bëjnë për zhvillimin ekonomik, për bizneset e sektorit privat, të cilat janë prekur nga pandemia e që nuk është se e kanë pasur mbështetjen e duhur.

Ai në Komisionin parlamentar përmendi si prioritet edhe hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillim ekonomik dhe liberalizimin e vizave.

Zeka: Rekomandimet për fuqizimin e sektorit privat

“Shpresojmë që të njëjtat rekomandime do të gjejnë vend edhe te prioritetet e punës së Komisionit të cilin ju e drejtoni. Disa prej këtyre rekomandimeve kanë të bëjnë me çështje të rëndësishme për fuqizimin e sektorit privat dhe zhvillimin ekonomik, por një pjesë e tyre lidhen edhe me situatën aktuale në të cilën po kalojmë pas shpërthimit të pandemisë COVID-19. Pas kujdesit shëndetësor, çështja e dytë e ndikimit të kësaj pandemie ka qenë në ekonominë e vendit, në veçanti në ndërmarrjet e sektorit privat dhe për gjatë këtyre muajve nuk është që e kanë pasur edhe përkrahjen më të drejt të duhur”, tha Zeka.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Nora Hasani në këtë takim i ka dorëzuar Komisionit në formë të shkruar kërkesat dhe propozimet e kësaj Ode për shqyrtimin e tyre nga deputetët.

Hasani tha se kërkesat e tyre për fokus kanë hartimin e ligjeve që kanë të bëjnë për nxitjen e investimeve të huaja. Teksa tha se synimet e tyre janë që të tërheqin sa më shumë investime të huaja nga Gjermania, për çka kërkoi edhe të formohet Gjykata Komerciale.

Hasani: Investitorët kërkojnë siguri ligjore, andaj duhet të formohet Gjykata Komerciale

“Ajo çka është shumë me rëndësi që del edhe prej studimeve që i përmenda, është se ne si shtet duhet të ofrojmë siguri ligjore për kompanitë në Kosovë, por edhe për investitorët potencial. Për neve si Odë është me rëndësi që të shtyhet përpara dhe të miratohet ligji për Gjykatën Komerciale. Kjo është një kërkesë e gjithë sektorit privat. Kjo gjykatë do të ofronte zgjidhje më të shpejta, pasi që kjo është pyetja kryesore që kemi nga secili investitor potencial”, tha Hasani.

Zëvendëskryetarja e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje Jeta Statovci, duke potencuar se pandemia përveç shëndetit publik preku edhe sektorin ekonomik, premtoi se do të trajtohen shqetësimet dhe kërkesat e tyre në komision.

Statovci: Pandemia përveç shëndetit publik preku edhe sektorin ekonomik

“Ne jemi përballur me një krizë shëndetësore, mirëpo dëmet e asaj krize nuk ishin vetëm në sektorin e shëndetësisë, mirëpo preken edhe hallka të tjera, sidomos zhvillimi ekonomik dhe gjendja e përgjithshme ekonomike në vend. Andaj, veç se kemi aprovuar fushëveprimin e Komisionit, ne si hap të radhës kemi dhe dizajnimin e planit të punës, përderisa jemi edhe në pritje të sjellës së planit të punës nga Qeveria, ne shprehmë interesin të dëgjojmë edhe nga perspektiva e juaj me konsumator dhe biznese për shqetësimet dhe hallet e tyre”, tha Statovci.

Kjo është hera parë që janë takuar kryetarët e odave ekonomike në vend nga Komisioni parlamentar për t’i dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre që pritet të futen në planin e punës së Komisionit për Ekonomi. 

***

Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi Ferat Shala gjatë takimit me drejtoreshën e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) Nora Hasani tha se janë të hapur për çdo formë të bashkëpunimit në kuadër të fushës që bie mbi këtë komision.

Ndërsa, drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani tha se mirëpresin bashkëpunimin me këtë komision parlamentar. Ajo i ka dorëzuar në formë të shkruar Komisionit kërkesat dhe propozimet e kësaj Ode për shqyrtim nga deputetët.

“Kërkesat tona kanë në fokus hartimin e ligjeve për nxitjen e investimeve të huaja. Synimet tona janë që të tërheqim sa më shumë investime të huaja nga Gjermania”, tha ajo.

Hasani ka kërkuar edhe siguri ligjore për investitorët, duke ngritur çështjen e krijimit të Gjykatës Komerciale. Sipas saj, interesimi për të investuar në Kosovë është fusha e energjisë së ripërtërirë.

Ndërsa, Arten Bajrushi nga bordi i kësaj ode, tha se kërkesat e anëtarëve të tyre janë të shumta, mirëpo fokusi kryesor është ngritja e çështjes së mungesës së bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, i cili vakum sipas tij ka shkaktuar pasoja te bizneset të cilat merren me këtë veprimtari.

Nënkryetarja e komisionit Jeta Statovci tha theksoi se kërkesat e tyre do të trajtohen edhe me anëtar të tjerë të komisionit. Gjatë ditës ky komision ka takuar edhe kryetarin e OEK-ut Berat Rukiqi dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat