Dënohet me tre vite burgim i akuzuari për pjesëmarrje në grupe terroriste

Aktuale

Dënohet me tre vite burgim i akuzuari për pjesëmarrje në grupe terroriste

Më: 22 prill 2021 Në ora: 15:33
Seanca

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me tre vite burgim të akuzuarin për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, Nuredin Sylejmani.

Aktgjykimi është shpallur të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, dënimi me burg i shqiptuar ndaj Sylejmanit do të filloj të ekzekutohet brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I akuzuari Sylejmani gjithashtu është obliguar nga gjykata që të paguaj shumën prej 100 euro në emër të shpenzimeve procedurale, si  dhe shumën prej 50 euro në llogari të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Në fund, gjykatësi Kurtaj njoftoi se pas dorëzimit të aktgjykimit në formë të shkruar, palëve do tu jepet arsyetimi më i detajuar lidhur me këtë vendim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Nuredin Sylejmani akuzohet se me qëllim të bashkëngjitjes në organizata terroriste, në mars të vitit 2013, me dashje dhe vetëdije të plotë ishte larguar nga Kosova për në Stamboll të Turqisë, bashkë me të dyshuarin Hamza Hyseni, i cili gjendet në arrati si dhe disa persona tjerë.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kishin shkuar në qytetin Idlib në Siri ku ishin takuar edhe me shqiptarë të tjerë dhe të gjithë kishin filluar ushtrimet ushtarake, me qëllim që të kthehen në luftime në kuadër të organizatës terroriste “Al Nusra” e cila më vonë, siç theksohet në aktakuzë, ishte njohur si “ISIS” dhe e cila ishte shpallur organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23 mars 2013 i akuzuari ishte kthyer në Kosovë, ndërsa të gjitha shpenzimet e udhëtimi për vete dhe për të tjerët i kishte mbuluar vet i akuzuari.

Me këtë, PSRK e ngarkon Sylejmanin se ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat