Zyra e kryeministrit jep detaje nga takimi i Kurtit me ministrin gjerman

Aktuale

Zyra e kryeministrit jep detaje nga takimi i Kurtit me ministrin gjerman

Nga: A.Zh Më: 22 prill 2021 Në ora: 17:21
Albin Kurti dhe Heiko Maas

(E plotësuar 19:35) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me dy zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.  

Ministri gjerman ka uruar kryeministrin Kurti me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qeverinë e re.  

Gjatë takimit i është dhënë mbështetje synimeve të qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Image

Ministri deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës. Ai konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.  

Temë e takimit ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.  

Kryeministri Kurti theksoi se qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime, dhe se Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë. 

Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Maas biseduan për hapat konkretë për bashkëpunimin e mëtejmë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë.  

***

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

Heiko Maas, ka mbërritur në ora 14:00 aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, për vizitën e tij zyrtare, ku është pritur nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz. Para takimit me Kurtin, kryediplomati gjerman është takuar me presidenten Vjosa Osmanin. Më pas të dy kanë mbajtur konferencë për medie.

Një orë më pas, në 17:30, ministri gjerman do të zhvillojë edhe një takim zyrtar me homologen e tij kosovare, Kryediplomaten Donika Gërvalla.

Image

Para nisjes për në Kosovë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të bashkëpunojnë në luftën kundër pandemisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat