Maqedonia e Veriut mbështet integrimin e Kosovës në BE

Aktuale

Maqedonia e Veriut mbështet integrimin e Kosovës në BE

Më: 23 prill 2021 Në ora: 12:14
Bujar Osmani

Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, teksa mbështet edhe dialogun Kosovë – Serbi.

Kështu u bë e ditur në një konferencë të përbashkët të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, të cilët deklaruan se ky takim i sotëm riafirmon raportet e jashtëzakonshme pozitive bilaterale mes dy vendeve.

Në konferencën e përbashkët Gërvalla tha se janë të shumta temat që i bashkon Kosovën dhe Maqedoninë duke theksuar se të dyja këto shtetet ndajnë interesat e përbashkëta politike e ekonomike për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Derisa përmendi rreth 30 marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ajo shtoi se raportet e mira të të dy vendeve janë kontribut për rajonin drejt afrimit me Bashkimin Evropian.

Ajo theksoi se ka nevojë për koordinim më të mirë mes dy qeverive për të lehtësuar qarkullimin e mallrave.

Gërvalla: Të lehtësohet kalimi kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

“Bisedat tona janë gjithmonë shumë të afërta dhe shumë të ngjeshura sepse temat që na bashkojnë janë të shumta. Republika e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesat e përbashkëta politike dhe ekonomike për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë. Fuqizimi i marrëdhënieve dy palëshe dhe fqinjësisë së mirë është përkushtimi i yni i cili për ne nuk ka tjetër alternativë. Maqedonisë e Veriut është një partner strategjik i Kosovës[...]Mund të thuhet se tashmë po i shohim përfitimet e bashkëpunimit tonë. Republika e Kosovës është ndër partnerët kryesor të Maqedonisë së Veriut, andaj për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve ka nevojë për një koordinim më të mirë mes dy qeverive për lehtësimin e kalimit kufitar”, tha ajo.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se Republika e Maqedonisë së Veriut mbështet dialogun Kosovë - Serbi, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ai shprehu gatishmërinë që ka Maqedonia e Veriut për të ndihmuar Kosovën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Osmani: Maqedonia e Veriut e gatshme të ndihmojë Kosovën për integrim në BE

“Më gëzon fakti që bashkë me ministren riafirmuam raportet jashtëzakonisht pozitive bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, dy shtete të pavarura dhe sovrane[...]Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s, plotësisht përkrahë perspektivën euroatlantike të Kosovës... ambicia jonë është integrimi i plotë i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, në këtë drejtim jemi të gatshëm t’i vendosim në dispozicion Republikës të Kosovës të gjitha njohuritë e deritanishme”, tha ai.

Diplomati i Maqedonisë së Veriut tha se mbështesin po ashtu edhe dialogun Kosovë – Serbi, i cili sipas tij, duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes ky shteteve.

Osmani: Mbështesim dialogun Kosovë – Serbi me rezultat final njohjen reciproke

“Republika e Maqedonisë së Veriut mbështetë përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në rajon, mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe vlerëson se qëllimi final i këtij dialogu duhet të jetë njohja e ndërsjellët ndërmjet dyja shteteve dhe rrugëtimi më tutje evropian i të gjithë rajonit”, theksoi Osmani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat