Flasin Kurti dhe Osmani nga memoriali i të pagjeturve në Prishtinë

Aktuale

Flasin Kurti dhe Osmani nga memoriali i të pagjeturve në Prishtinë

Më: 27 prill 2021 Në ora: 09:21
Foto nga memoriali i të pagjeturve në Prishtinë

(E plotësuar 10:28) - Kurti: Gjenocidi në Kosovë është e vërteta e Serbisë si shtet, të pagjeturit janë plagë e hapur që s’e mbyll kalimi i kohës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Ditën Kombëtare për Persona të Zhdukur.

Me këtë rast kryeministri Kurti deklaroi se të zhdukurit me dhunë duhet të duken në përgjegjësinë institucionale dhe aktivitetet qytetare.

“Të gjithë ata na mungojnë, të gjithëve e sidomos familjeve të tyre, por edhe gjithë shoqërisë, popullit, shtetit e të ardhmes sonë. Sot shënojmë 22 vjetorin e masakrës së Mejës që është dëshmi tjetër e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.Gjenocidi në Kosovë është e vërteta e Serbisë si shtet. Por kjo nuk mjafton, duhet që urdhërdhënësit e këtij gjenocidi, e masakrave e të vrarëve të pafajshëm e civil të paarmatosur  të sillen para drejtësisë, që të akuzohen, gjykohen e dënohen.Kjo është një plagë e hapur që nuk e mbyll kalimi i kohës, sa më shumë kohë kalon dhembja nuk fashitet por shtohet dhe si kryeministër i Kosovës bashkë me presidenten e vendit dhe kryparlamentarin jemi zotuar se do të bëjmë krejt çka mundemi e dimë në mënyrë që të jemi pranë këtyre familjeve por edhe të ndihmojmë sjelljen e drejtësisë për gjetjen e të vërtetë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se e vërteta është përpjekur të varroset në Batajnicë, në Perushavc e varrezat e tjera masive nëpër fusha, male e liqene por ju e dini se ajo u rishfaq.

“Sepse s’mund të shtypet e ndrydhet përjetë e vërteta, sepse ajo nxjerr kokën e del.Shqiptari i vrarë i zhvarrosur e transportuar është ajo e vërtetë që nuk rri as nën ujë e as nën tokë.Prandaj në raport me Serbinë e për hir të së ardhmes dhe historisë sonë, duhet të bëhemi bashkë dhe të kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe në secilën pozitë që mbajmë.

U jam mirënjohës familjeve që kurrë s’e ndalën aktivitetin e tyre në protesta e peticione, në borë e shi ku me lot në sy prisnin eshtrat e më të dashurve të tyre. Andaj kjo lloj dhimbje që është më shumë ankth se sa pikëllim duhet të marrë fund dhe për këtë zotohemi ne”, shtoi ai.

***

Osmani: Do t’ia rikujtojmë vetes, rajonit dhe aleatëve se s’ka asgjë më të rëndësishme se zbardhja e fatit të të pagjeturve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe tek memoriali i të pagjeturve në Prishtinë.

Me këtë rast, presidentja Osmani ka deklaruar se se sot çdo qytetarë përkujton të pagjeturit e luftës së Kosovës.

“Mbi 1 mijë e 600 të zhdukur nga lufta në Kosovë.Sot e ripërsërisim se fati i gjithë Kosovës është i lidhur drejtpërsëdrejti me fatin e familjarëve të më të dashurve tanë. Sot e përsërisim se në Kosovë liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen të gjithë njerëzit tanë, kur do të ketë drejtësi për secilin prej tyre, vetëm atë ditë kur plaga e hapur e gjithë këtyre familjarëve, e që është plagë e jona e përbashkët, do të mund të mbyllen apo së paku të fillojë të shërohen me zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Osmani.

Presidentja tutje shtoi se sot e çdoherë do t’ia rikujtojmë vetes, rajonit por edhe aleatëve të Kosovës se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë.

“Dua ta ritheksoj në prani të gjithë familjarëve se kjo asnjëherë nuk do të jetë vetëm barrë e tyre, nuk është barrë individuale, është barrë e jona e të gjithëve bashkërisht sepse ata janë njerëzit tanë, janë djemtë e vajzat tona. Janë të të gjithë Kosovës, prandaj edhe barrën e kemi të përbashkët, plagën e hapur të përbashkët e dhimbjen poashtu. Të jeni të sigurt të gjithë se zëri juaj, do të dëgjohet çdokund që kërkesa jonë parësore e themelore do të jetë zbardhja e fatit të më të dashurve tuaj e tanë”, shtoi ajo.

***

Para nisjes për në Bruksel, Kryeministri Albin Kurti, do të bëhet bashkë në një aktivitet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ata do të bëjnë nderime te Memoriali për të pagjeturit. Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, bën nderime te Memoriali për të pagjeturit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të udhëtojë për në Bruksel ku do të ketë një vizitë dyditore.

Vizitën e Kurtit e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka treguar se Kurti do të takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Po ashtu do të takohet edhe me shefim e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Kurti do të jetë bashkë me ministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla”, tha Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat