Sqarohet Mimoza Kusari për atë që ndodhi në Komision

Aktuale

Sqarohet Mimoza Kusari për atë që ndodhi në Komision

Më: 28 prill 2021 Në ora: 17:38
Mimoza Kusari-Lila

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, me shumicë votash ka miratuar propozimin e Mimoza Kusari – Lila që t’i ndahen 11 milionë euro KOSTT-it për pagesën e rrymës në veri.

Gjatë këtij takimi ka pasur shumë përplasje ndërmjet anëtarëve të Komisionit për çështjen e pagesës së rrymës për Veriun e Kosovës.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili i bëri apel deputetëve të Vetëvendosjes që të votojnë kundër pagesës së rrymës për veriun e Kosovës.

“Nëse ne si deputet nuk e ngrisim zërin kur shohim abuzim, atëherë ne po ja mundësojmë rrugën krimit. Nuk mund të gjejmë arsyetime, e kemi rastin të votojmë kundër, dhe duhet të votojmë kundër”, ka thënë Ismaili.

Edhe anëtari tjetër Pal Lekaj ka qenë kundër këtij vendimi. “Ne kemi përgjegjësi që mos ta vazhdojmë të keqen që është që 20 vite dhe hajde të bëjmë diçka më të mirë, unë nuk pajtohem që ta ngarkojmë KOSTT-in”, tha ai

Ndërsa në lidhje me këtë, është deklaruar u.d e Shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila e cila ka mohuar se shuma për pagesë është 11 milionë.

Kusari-Lila tha se nuk ka të bëjë me pagesë të rrymës, por me ruajtjen e stabilitetit të KOST-it.

Ajo tha se kjo ka të bëjë me një plan i cili përfundimisht e kthen Veriun e Kosovës në një sistem të faturimit dhe të pagesës së rrymës.

“E para nuk është e vërtetë, shuma nuk është 11 milionë, e dyta nuk ka të bëjë me pagesë të rrymës ka të bëjë me ruajtjen e stabilitetit të KOST-it si ndërmarrje, si të operatorit të sistemit transmisionit të Kosovës në periudhën disa mujore deri në momentin kur fillon faturimi. Do të thotë ka të bëjë me një plan i cili përfundimisht e kthen veriun e Kosovës në një sistem të faturimit dhe të pagesës së rrymës dhe nuk ka pasur zgjedhje tjetër për faktin se Kosova është pjesë tash e sistemit elektro-energjetik të Evropës dhe si e tillë që konsumi, i cili ka ndodhur në muajin prill gjatë kohës në veri ka shkaktuar disbalancë në vlerën e KOSTT-it”, tha ajjo.

Po ashtu, deputetja e LVV-së thotë se brenda gjashtë muajve Qeveria autorizohet që të funksionalizojë furnizimin me faturim të mirëfilltë në Veri.

Sipas saj, Veriu përfundimisht pas 21 ditëve do të mbulohet me furnizim si pjesë e Kosovës.

“Ne e kemi autorizuar KOST-in që rrymën ta mbulojë me mjete të veta që qeveria nuk i paguan dhe brenda gjashtë muajve autorizohet qeveria që të funksionalizojë furnizimin me faturim të mirëfilltë në veri dhe Veriu përfundimisht mbas 21 ditëve të bëhet pjesë e Kosovës”, tha Kusari-Lila.

Kusari tha se kjo çështje është shtrembëruar sot nga disa media me tendencë, sipas saj që të largohet fokusi prej një çështjes me peshë strategjike dhe shtetërore.

“Titujt bombastik të kësaj natyre unë i shoh vetëm si tendencë për me hjek fokusin prej një çështje e cila është me peshë strategjike dhe shtetërore. Të një veprimi që të futen në sistem katër komunat e veriut për pagesën e rrymës”, theksoi shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së.

Në fund, Kusari-Lila deklaroi se Qeveria nuk i ka dhënë para KOSTT-it. Sipas saj KOSTT-it i kanë dhënë para vetëm që të bëjë furnizimin me rrymë në veri.

“Kjo është totalisht e pavërtetë. 11 milionë ka qenë kërkesa e KOST-it për një vit, ne nuk i kemi dhënë para KOSTT-it, ne i kemi dhënë vetëm që të furnizohet me rrymë në mënyrë që të mbulohet disbalanci energjik që ndodh në Veri”, tha Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat