Kryeministri Kurti në Bruksel: Nuk ka bisedime Kosovë – Serbi me 11 maj

Aktuale

Kryeministri Kurti në Bruksel: Nuk ka bisedime Kosovë – Serbi me 11 maj

Më: 29 prill 2021 Në ora: 01:43
Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak

Takimi Kosovë-Serbi që Bashkimi Evropian shpresonte të mbahej më 11 maj, duket se duhet të presë një datë tjetër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Bruksel, tha se nuk do të jetë atje më 11 maj për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një datë në të cilën Bashkimi Evropian shpresonte të mbahej takimi i parë ndërmjet të dy udhëheqësve.

Të hënën, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha pas një takimi me presidentin serb Vuçiç, se shpresonte që më 11 maj të mbahej raundi i ri i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Prandaj, ajo që mund të konfirmojë është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga komisionari (Josep) Borrell nga mesi i muajit maj, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se bisedimet duhet të jenë të përgatitura mirë dhe me parime “pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”.

Në orët e mbrëmjes kryeministri Kurti, u takua e të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, pas të cilit shkroi në rrjetet sociale se “dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”.

Debatet për mundësinë e rifillimit të bisedimeve ndodhin në një periudhë diskutimesh të nxitura nga dy dokumente të përfolura ditëve të fundit për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan si dhe për rrugët e përmbylljes së bisedimeve Kosovë-Serbi përmes krijimit të një distrikti në veriun Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se qasja më e mirë ndaj dokumenteve joformale është që të mos komentohen “për shkak se përmes përgjigjeve po përpiqen që të marrin jetë, në kohë që nuk dihet autori dhe as synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira”.

“Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë vitin e kaluar, por para 13 vjetëve, dhe katër vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Duhet të shkojmë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike. Kosova nuk ka dilema. BE-ja dhe NATO-ja janë edhe vlera edhe destinimi ynë. Por, në të njëjtën kohë, raportet në Ballkan mund t’i rregullojmë vetëm me dialog parimor dhe të përgatitur mirë, ku Kosova është palë e jo thjeshtë temë dhe gjithashtu, me barazinë qysh në pikënisje”, tha kryeministri Kurti.

Në Bashkimin Evropian thanë se nuk kanë njohuri për dokumente joformale, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se “spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme”

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjellë, e cila të shërbejë si themel për bashkëpunim dhe begati të qëndrueshme”.

Çështja e bisedimeve pritet të jetë temë kryesore e takimeve të kryeministrit Kurti në Bruksel, ku gjatë ditës është takuar me zyrtarët më të lartë të Belgjikës, ndërsa të enjten do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat