Albin Kurti arrin një rekord të ri në Bruksel

Aktuale

Albin Kurti arrin një rekord të ri në Bruksel

Më: 29 prill 2021 Në ora: 16:22
Albin Kurti

"Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund t'ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisioneri Borrell”. Këtë deklaratë kryeministri i Kosovës e bëri nga Brukseli ku po qëndron për vizitë dy ditore dhe po zhvillon takime me krerët më të lartë të BE-së.

Kurti gjatë këtyre dy ditëve po vlerësohet se takoi përfaqësues të Bashkimit Evropian për dy ditë më shumë se çdo kryeministër apo ministër tjetër i mëparshëm nga Kosova.

Kështu sëpaku po e sheh drejtori i EPIK, Demush Shasha, duke vënë në pah vizitat e paraardhësve të Kurtit e liderëve të rajonit.

 “Vetëm sot – pa përfunduar dita – Kurti ka takuar 4 Komisionarë të ndryshëm: Komisionarin për Drejtësi, Komisionarin për Ekonomi, Komisionarin për Energji dhe Komisionarin për Bujqësi. Kjo përbërje reflekton edhe zotimin e Kurtit për “jobs & justice”. Në fakt kjo vizitë është e pa precedent edhe në nivel të rajonit. Asnjëherë nuk kam parë që liderët e rajonit të takojnë kaq shumë komisionarë gjatë vizitave në Bruksel. E para, sepse është pothuaj e pamundur të sigurosh takimin me të gjithë këta komisionarë brenda një vizite të vetme në Bruksel. E dyta, zakonisht liderët e rajonit e shohin Brukselin si pjesë e “punëve të jashtme” dhe rrjedhimisht takojnë vetëm Përfaqësuesin e Jashtëm apo Komisionarin për Zgjerim”, shkruan Shasha.

Madje, Kurti po duartrokitet që hedhi poshtë edhe dokumentin e famshëm të këtyre ditëve ‘non-paper’ që flet për një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë, e që përflitet për një autonomi të veriut.

Për Xhevdet Pozharin, çështja e veriut do të jetë edhe përcaktues për qëndrimin e kësaj qeverie në pushtet. 

“Qëndrimi i mëtutjeshëm i kësaj Qeverie e përcakton edhe qëndrimin karshi veriut, respektivisht dialogimin e brendshëm me komunitetin serb që jeton atje” – deklaroi Pozhari.

Sipas Pozharit, këtë e dëshmon edhe kjo vizitë në Bruksel, ku Kurti mbetet i palëkundur sa i përket dialogut.

“Sa i përket vizitës se z. Kurti ne Bruksel, ai konfirmoi se sa i përket temës se dialogut mbetet i palëkundur në qëndrimet të cilat i ka bërë publike edhe para se të merr mandatin si kryeministër dhe të cilat janë të përfshira edhe në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje ku parashihen hapa konkret se si do t'i qasen në të ardhmen kësaj teme, me një fjalë një reformatim i mënyrës se dialogimit ku kthimi i te pagjeturve dhe padia ndaj shteti serb për krimet gjenocidale dhe dëmet e shkaktuara duhet të jenë pjesë e tryezës” – përfundon Pozhari.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përveç dialogut nuk ka rrugë tjetër e as alternativë për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell ka inkurajuar Kurtin që të përfshihet personalisht në këtë temë.

Ai ka thënë se e di që procesi i dialogut nuk është i lehtë, por nuk mund të hedhim poshtë atë çfarë kanë arritur qeveritë e mëparshme, duke theksuar se asnjëherë nuk ka thënë se Kosova do të bllokohet në rast se refuzon të marrë pjesë në dialog.

E menjëherë pas tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se gjatë muajit qershor  mund të nis dialogun me Serbinë.

Kurti theksoi se gjatë muajit maj do të takojë opozitën në Kosovë për të diskutuar për dialogun, ndërkaq theksoi se do të marrë pjesë në darkën e punës që do të organizohet gjatë muajit maj me liderët e Ballkanit në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat