Parashikimet e analistëve për dialogun me Serbi: E kanë zor!

Aktuale

Parashikimet e analistëve për dialogun me Serbi: E kanë zor!

Më: 30 prill 2021 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se gjatë muajit qershor mund të nis dialogun me Serbinë, kjo pasi siç tha ai kanë nevojë për kohë për të pasur më shumë informacione si dhe qasje në dokumentet e marrëveshjeve të kaluara, për të përgatitur mirë këtë dialog në Bruksel.

Kjo sipas njohësve të fushës politike, Jeta Krasniqi nga Insituti Demokratik i Kosovës (IDK) dhe nga Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, vlerësohet si vendim i drejtë dhe i arsyeshëm.

Krasniqi ka thënë se qeverisë së re i duhet më shumë kohë që të përgatitet për dialogun me Serbinë.

“Qeveria Kurti është e sapo formuar. Ajo ka deklaruar që i duhet më shumë kohë që të përgatitet, pasi i duhet qasje në dokumente të dialogut në mënyrë që pala kosovare të përgatitet për këtë proces. Për ne është e nevojshme që qeveria të marrë kohën e duhur dhe të nevojshme që të përgatitet, e para të përgatis një platformë, një strategji të mirëfilltë, të ketë parime të qarta në të cilat po zhvillohet dhe të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi dhe në të njëjtën kohë për të punuar që të ketë konsensus të brendshëm politik, por edhe të ketë përfshirje duke konsultuar edhe shoqërinë civile në mënyrë që Kosova të jetë sa më e përgatitur”, ka thënë Krasniqi.

Ajo tha se kryeministri Kurti ka etabluar katër parime se si kjo qeveri e sheh dialogun me Serbinë.

E siç deklaroi ajo, tash mbetet të shihet se si kjo qeveri do të pozicionohet në këtë dialog.

“Kurti ka etabluar katër parime se si qeveria Kurti e sheh këtë proces të dialogut dhe tani në ditët dhe javët në vazhdim presim më shumë sqarim dhe qartësim të pozicionit të qeverisë Kurti, cilat tema do të jenë që qeveria Kurti do t’i shtyjë përpara, d.m.th. ende ka nevojë për qartësim që besoj që do ta marrim në ditët dhe javët në vazhdim”, u shpreh Krasniqi.

Edhe Demhasaj vlerësoi se deklarata e Kurtit është më se normale, pasi siç theksoi ai kësaj qeverie i duhet më shumë kohë për përgatitje.

“Është normale që qeverisë i duhet më tepër kohë që të përgatitet për dialog, duke analizuar dhe marrëveshjet e kaluara si dhe duke përgatitur për raundin e dialogut. Mendoj që është normale pasi kjo është arsyeja pse Kurti nuk merr pjesë në takimin e 11 majit. Gjithmonë është më mirë për Kosovën që kur të hyj në dialog të jetë i përgatitur”, tha ai.

Ndryshe, rinisja e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodh para fundit të qershorit, siç kanë bërë të ditur dje në Bruksel përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor, por shtoi se paraprakisht do të përgatiten mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat