Vaksinat Pfizer, Varhelyi: Kontributi më i rëndësishëm që mund të bënim

Aktuale

Vaksinat Pfizer, Varhelyi: Kontributi më i rëndësishëm që mund të bënim

Më: 5 maj 2021 Në ora: 13:03
Oliver Varhelyi

(E plotësuar 14:18) - Një ditë pas arritjes së 4680 vaksinave Pfizer, Kosovën e ka vizituar komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi.

Ai ka qëndruar në sallën “1 tetori” për të parë nga afër procesin e rinisjes së vaksinimit antiCOVID-19, me ç’rast bëri të ditur se në qershor do të vijë dërgesa tjetër e vaksinave Pfizer. Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se nuk do të ndalen derisa të arrihet objektivi i vaksinimit 60 për qind të popullatës.

Në një konferencë të përbashkët për medie, komisionari Varhelyi tha se do të punojnë me kryeministrin Kurti për të siguruar sa më shumë vaksina, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë përfundon pandemia COVID-19. Nga donacionet e BE-së, ai tha se Kosova do të pranojë rreth 100 mijë vaksina Pfizer.

Varhelyi: Në qershor vjen dërgesa tjetër, ne brengosemi për Kosovën

“Është një ditë e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor dhe e mrekullueshme për Kosovën. Shpresoj që edhe ju ndjeheni njëjtë. Ka qenë një detyrë e rëndë për t’i marrë vaksinat, por ja ku janë. Jemi duke i sjellë gjashtëqind e tridhjetë e një mijë vaksina për Ballkanin Perëndimor, Kosova do t’i pranojë gati 100 mijë vaksina nga Pfizer, partneri më i besuar në këtë luftë të pandemisë. Në këtë kontribut gjithë sektori shëndetësor i Kosovës do të mund të vaksinohej me furnizimet e para, dhe ato që do të vijnë në qershor do t’i vaksinoni të gjithë stafin mjekësor dhe ata do të kenë rezistencë ndaj virusit. Mendoj që ky është kontributi më i rëndësishëm që bëjmë për të ndihmuar të fillojmë përfundimin e pandemisë, pasi që pandemia do të përfundojë vetëm pasi të jemi vaksinuar të gjithë. Dhe ky është vetëm furnizimi i parë, do të vazhdojmë të punojmë me kryeministrin për të siguruar më shumë vaksina në mënyrë që të vaksinohen të gjithë... Kjo për ne nënkupton se ne brengosemi për Ballkanin Perëndimor dhe brenda tij brengosemi për Kosovën”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se synojnë të vaksinojnë gjitha grupet e rrezikuara para stinës së verës.

Kurti: Synojmë që të vaksinojmë grupet e rrezikuara para stinës së verës

“Vetëm duke qenë së bashku mund ta fitojmë luftën kundër COVID-19, ky është mësimi nga pandemia dhe mënyra jonë në gjithë këtë fushatë. Sot po e rifillojmë procesin e vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë derisa ta arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60% të popullatës. Ne synojmë që të vaksinojmë grupet e rrezikuara para stinës së verës dhe të evitojmë me pjesën tjetër sipas planit. Qeveria është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi. Jemi të bindur se në bashkëpunim me vendet tjera të BE-së do të mund të vazhdojmë të përfitojmë nga ky mekanizëm i pakos ndihmëse përmes marrëveshjeve të mëtejme”, tha Kurti.

Vizita e sotme e komisionarit Varhelyi në Kosovë është në kuadër të qëndrimit të tij disaditor në vendet e Ballkanit Perëndimor

***

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, e ka përcjellë nga afër procesin e vaksinimit në Sallën “1 Tetori” me vaksinat Pfizer që kanë arritur dje në Kosovë si pjesë e donacionit të BE-së.

“Kjo është një ditë e mrekullueshme për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Shpresoj se edhe ju ndiheni në të njëjtën mënyrë. Ka qenë një detyrë e vështirë sigurimi i vaksinave, por ja ku janë. Ne po sjellim mbi 600 mijë vaksina në Ballkanin Perëndimor. Kosova do të pranojë gati 100 mijë vaksina nga Pfizer-BionTech që është partneri jonë më i besueshëm në luftën kundër pandemisë. Me këtë kontribut i gjithë sistemi shëndetësor i Kosovës mund të vaksinohet”.

Ai ka thënë se me kontigjentet e vaksinave që do të vijnë nga Bashkimi Europian do të vaksinohet i gjithë personeli shëndetësor në Kosovë.

Komisioneri evropian ka premtuar se do të punojë bashkë me kryeministrin Albin Kurti që të sigurojnë edhe më shumë vaksina.

“Me dërgesat e para dhe dërgesat që do të vijnë në muajin qershor do të keni të gjithë punonjësit shëndetësorë të vaksinuar. Mendoj se ky është kontributi më i rëndësishëm që mund të bënim për të ndihmuar që të fillojmë fundin e pandemisë, sepse pandemia do të përfundojë vetëm kur të jemi të gjithë të vaksinuar. Kjo është vetëm dërgesa e parë. Do të vazhdojmë të punojmë me kryeministrin që të sigurojmë më shumë vaksina në mënyrë që të gjithë të vaksinohen. Dua t’iu kujtoj që ne kemi qenë bashkë me Kosovën gjatë pandemisë. Kemi filluar marsin e vitit të kaluar duke ofruar pajisje mjekësore, maska, ventilatorë, vetura të autoambulancës, pajisje për Repartin e Kujdesit Intensiv dhe renovimin e spitaleve, si dhe e kemi ndihmuar ekonominë duke ofruar asistencë mikro-financiare për buxhetin e Kosovës në mënyrë që të mund ta luftoni pandeminë. Tani kemi ardhur te vaksinat që shpresoj se janë hapi i fundit në luftën kundër pandemisë, prandaj jam i lumtur të shoh sot të gjithë këta njerëz që po vaksinohen. Kjo për neve tregon se ne kujdesemi për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën”.

Kurti: Synojmë vaksinimin e 60 për qind të popullatës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka parë nga afër procesin e imunizimit të stafit shëndetësor me vaksinën antiCOVID, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe me komisionarin e lartë për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi i cili vizitoi sot Kosovën.

Gjatë fjalës së tij para medieve, Kurti ka falënderuar çdo palë të përfshirë në realizimin e kësaj ngjarjeje teksa janë duke punuar për zvogëlimin e ndikimit dhe shtrirjes së pandemisë COVID-19.

“Kjo sasi e parë e vaksinave Pfizer, e kësaj pakoje të dërguara nga BE, përveç që është shpresëdhënëse na bën mirënjohës ndaj shfaqjes dhe përkrahjes ndaj BE-së për mjedis sa më të sigurt jo vetëm për qytetarët tonë por edhe për të mirëpritur qytetarët nga Bashkimi Evropian”.

“Kjo simbolikë me shumë vlerë na jep besimin se rrugëtimi jonë shumë i nevojshëm dhe i qartë drejt BE është i mbushur me miq. Duke qenë së bashku mund ta fitojmë luftën kundër COVID-19. Sot fillojmë procesin e vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë deri të arrijmë synimin tonë për vaksinimin e 60% të popullatës. Grupe të rrezikuara do të vaksinohen para stinës së verës. Qeveria po punon pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë për këtë qëllim”, tha Kurti.

​Varhelyi përcjell nga afër procesin e vaksinimit në Kosovë

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai sot ka vizituar sallën “1 tetori” në Prishtinë për të parë nga afër procesin e vaksinimit me Pfizer, dozat e së cilës erdhën dje, si donacion nga BE-së.

Për ta pritur komisionarin e BE-së ka ardhur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë pritet të ketë edhe konferencë të përbashkët për medie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat