Ja komentet/ Familjarët e viktimave të vrasjeve politike fuqishëm me Donika Gërvallën

Aktuale

Ja komentet/ Familjarët e viktimave të vrasjeve politike fuqishëm me Donika Gërvallën

Nga: P.R Më: 5 maj 2021 Në ora: 19:29
Donika Gërvalla

Disa deklarata të dhëna nga Donika Gërvalla para disa vitesh lidhur me Gjykatën Specialen dhe të akuzuarit e Speciales, janë bërë shkak i nisjes së një fushate të ashpër me sulme ndaj Donika Gërvallës, e cila tani ushtron postin e Ministres së Jashtme dhe Zëvendëskryeministres.

Madje Partia Demokratike e Kosovës dhe eksponentë të afërt me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët, po e kërkojnë edhe dorëheqjen e Gërvallës.

E vet Ministrja Gërvalla përmes një postimi në facebook, është shprehur së do të kërkojë gjithmonë drejtësi për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë.

“Dje, sot por edhe nesër! Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit. Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim. Shumë punë na presin, vërtet”, ka shkruar Donika Gërvalla, përcjellë “Bota sot”.

E ndër përkrahje të Gërvallës kanë dal menjëherë familjarët e viktimave të vrasjeve politike në Kosovë.

“Tradhëtar janë ata që i bënë vrasjet , jo ai/ajo që angazhohet me i zbardhë krimet.Kurajo për Donikën!”, shkroi Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj.

Shkodran Manaj, djali i ish kryetari të LDK-së në Istog, Shaban Manaj i cili u vra pas lufte në Kosovë, shkroi se Donika Gërvalla po kërkon drejtësi për të gjithë dhe po kërkon që drejtësia të veproj mbi të gjithë.

“Është në rrugën e drejtë dhe në rrugën e duhur. Po kërkon drejtësi për të gjithë dhe po kërkon që drejtësia të veproj mbi të gjithë. Njëkohësisht, tanimë në cilësinë e ministres, e ka detyrim kushtetues dhe ligjor të respektoj vendimet e Kuvendit. Thjeshtë, po e bën punën e vet”, shkroi Shkodran Manaj.

Mbështetje për Gërvallën dha edhe Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, ish truprojës së Ibrahim Rugovës, i cili gjithashtu u vra në një atentat të organizuar pas luftës në Kosovë.

“Te lumte Zonja Gervalla, zoti te bekoft njerzit e drejte dhe te guximshem e bejn ndryshimin dhe krimi tmerrohet nga ta!”, shkruan Dajaku, përcjellë “Bota sot”.

Gjithashtu në përkrahje të Donika Gërvallës doli edhe familja e anëtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri.

“'Patriotet e rinj 'dhe fajtoret e penduar të politikës- gazetarisë po sulmojnë atdhetaren e dëshmuar Donika Gërvallën vetëm pse ajo paska thënë se do të ndihmonte me materiale Gjykatën Speciale, Gjykatën e Kosovës. Ani kush po sulmon Donikën? Po sulmojnë ata që dhanë kontribut të pakontestuar për ta dërguar shefin, gjarprin në Hagë. Nëse ka deklaruar ashtu Donika i lumtë. Drejtësia duhet të hulumtojë, ndëshkojë krimet llahtarshme ndaj shqiptarëve. Kush jeni ju që kërkoni të mos zbulohen krimet politike? Pse nuk duhet te ndihmohet Gjykata Speciale që të hetohet se kush qëndron prapa vrasjeve politike filluar nga Jusuf Gërvalla e deri te Bardhyl Ajeti. Kë e pengon në Kosovë ndriçimi i vrasjeve politike? I pengon urdhërdhënësit, dhe argatët e tyre. Vrasjet do t'i ndriçojë Gjykata Speciale dhe bëhuni gati për ditën e Gjykimit. Të gjithë këta që e sulmojnë padrejtësisht Donika Gervallën për 20 vite rresht kane qenë argat, spiune të Unmikut, Kforit , Euleksit dhe zyrave tjera ndërkombëtare të instaluara në Kosovë përfshi edhe ambasadat. Të dashur 'mëkatar' dhe themelues të Gjykatës Speciale, vonë është tash të pendoheni. Sot 'atdhetarët' e penduar po luftojnë dhe po fshehin të kaluarën e tyre duke sulmuar të tjerët. Sa evidente është ajo maksima popullore në këtë rast 'Nëse pitja është ngrënë tepsia ka mbetur' Zonja Donike Gërvalla jeni e dëshmuar për drejtësi dhe atdhetarizëm ne besojmë fuqishëm në profesionalizmin tënd”, shkruan në reagimin e saj familja Imeri, përcjellë “Bota sot”.

Kujtojmë se përveç familjarëve, në mbështetje të Gërvallës kanë dal edhe shumë analistë, anëtarë të LDK-së e veprimtar të shumtë të çështjes kombëtare.

Po ashtu, në përkrahje të Ministres Gërvalla doli edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Sipas Kurtit, Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel. Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, shkroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat