​PDK: Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për t’ia pamundësuar Gërvallës ushtrimin e detyrës

Aktuale

​PDK: Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për t’ia pamundësuar Gërvallës ushtrimin e detyrës

Më: 6 maj 2021 Në ora: 14:22
Abelard Tahiri

Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë gjitha mjetet demokratike për t’ia pamundësuar ushtrimin e detyrës si ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës.

Duke kërkuar shkarkimin e saj nga kryeministri Albin Kurti, PDK po konsideron se kryediplomatja e Kosovës po flet me narracionin e Serbisë për UÇK-në dhe Gjykatën Speciale.

Pas incidentit në seancën e sotme plenare të Kuvendin e Kosovës, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se gjuha e përdorur e ministres Gërvalla është ofendim i madh për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ndërkohë, ia ka adresuar fajin deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për “tollovinë” e shkaktuar në Kuvend.

Tahiri: Kërkojmë nga Kurti që sa më parë ta shkarkojë këtë ministre të papërgjegjshme

“Ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja e Punëve të Jashtme të flasë me narracionin e ndërtuar në Beograd. Pra, fatkeqësisht edhe sot e pamë që narracioni i saj ishte i njëjti me pasardhësit të kasapit të Ballkanit, përfaqësuesit të tij Ivica Daçiq. Prandaj, kërkojmë nga Kurti që sa më parë ta shkarkojë këtë ministre të papërgjegjshme, e cila në vazhdimësi fyen vlerat kombëtare të popullit shqiptar, ta shkarkojë këtë njeri që në mënyrë të vazhdueshme denigron pjesën më të ndritur të historisë sonë kombëtare”, tha ai.

Tahiri përmes një konference për medie tha se nuk mund të jetë një gjendje normale në Kuvend pas deklaratave të ministres Gërvalla.

Tahiri: Gërvallës t’i pamundësohet ushtrimi i detyrës

“Nuk mund të jetë një gjendje normale në një Kuvend, ku ministrja e Punëve të Jashtme e fyen kauzën më të ndritur të popullit shqiptar, luftën e UÇK-së. Nuk mund të vazhdohet me një gjendje të njëjtë normale sikur nuk ka ndodhur asgjë kur bëhet fyerje të tilla në adresë të UÇK-së...Ne do të përdorim gjitha mjetet demokratike që kësaj ministre t’i pamundësohet ushtrimi i detyrës si ministre e Punëve të Jashtme”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët, Tahiri dha edhe versionin e tij për incidentin e ndodhur në seancë ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të LVV-së.

Tahiri: Ne ishim duke dalë, fyerjet dhe ofendimet erdhe nga LVV

“Ne ishim duke dalë dhe fyerjet dhe ofendimet nuk erdhën nga ne, sepse ne ishim te dera. Fyerjet dhe ofendimet erdhën nga prapa nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët edhe na u vërsulën. Pra, ne nuk shkuam te vendi i tyre, ata erdhën te ne. Prandaj nuk kishte ofendimi, por edhe mund të ketë dikush ndonjë fjalë, sepse ishin në mënyrë masive duke na ofenduar dhe duke përdor gjuhë rrugaçërie”, tha ai.

Krahas kësaj, Tahiri kritikoi edhe mazhorancën, për siç tha ai, mbarëvajtjen e seancës së sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat