Rrëfimi rrëqethës i Rafet Ramës për rënien e Luan Haradinajt

Aktuale

Rrëfimi rrëqethës i Rafet Ramës për rënien e Luan Haradinajt

Më: 6 maj 2021 Në ora: 14:30
Arkiv

Bashkëluftëtari i Luan Haradinajt, Rafet Rama, një vit më parë ka rrëfyer ekskluzivisht në Frontal të T7 rrugëtimin e tij dhe të grupit prej dhjetë personave, të cilët ishin nisur të bëheshin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rama ka treguar për riorganizimin dhe për porositë e Adem Jasharit që Kosovës i duhen trupa luftarakë për t’i dalë ballë serbëve.

Nga Gjermania, për t’u bërë bashkë në Zvicër, e më pas në Itali, dhe për të hyrë në Shqipëri, Rafet Rama ka rrëfyer hap pas hapi ngjarjet që kishin ndodhur në vitin 1996.

“Së bashku me Ramiz Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Fehmi Lladrovcin, Selim Krasniqin, Abedin Rexhën, Gani Ramën, Ilaz Kodrën, Ali Ahmetin dhe Emrush Xhemajlin, jemi nisur për Shqipëri. Në kufij kemi kaluar siç kemi mundur, por destinacioni ynë ishte Kosova. Por, fillimisht ne donim që të armatoseshim”, ka thënë Rama.

Të njëjtit pasi kishin arritur në Durrës, i kishte pritur Ramush e Luan Haradinaj. Pas takimit me ta, ata janë nisur për Tiranë, aty ku e kishte edhe banesën Luani, ku në atë kohë i njëjti ishte në studime.

“Luani e pyeti Ramushin për neve, se a jemi turistë, apo me të vërtetë donim të bëheshim pjesë e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës. Ramushi i tha që UÇK-së po i shtohen trupat, e Luani u gëzua”, shtoi më tej Rama gjatë rrëfimit të tij.

Rafet Rama kishte jetuar dy vite në Tiranë para se të ndodhte kjo ngjarje, e i njëjti ishte takuar edhe me Luanin, mirëpo thotë se shoqëri të ngushtë nuk ka pasur me të, derisa u bë edhe organizimi për nisje në Kosovë.

Ai tregon, se më 5 maj të njëjtit kanë mbërritur në Krumë, e më pas në fshatin Vlanë. Po atë natë, të njëjtit kishin tentuar ta kalonin kufirin, mirëpo policët kufitarë nuk I kishin lejuar. Madje të njëjtit iu kishin treguar që tashmë ushtria serbe i kishte vendosur edhe tanket në pozicione.

Më pas, disa prej tyre qëndruan në Vlanë.

“Një grup i joni vendosëm që ta kalojmë natën në Vlanë. Disa prej nesh u nisëm të shkonim ta merrnim armatimin. Në atë familjen që shkuam të merrnim armatimin na shtruan darkë, por me armët nuk ishim të kënaqur. Por, i zoti i konakut na përcolli deri afër kufirit. Kur mbërritëm te kufiri e pamë që zbardhi dita, dhe për këtë shkak nuk e kaluam kufirin”, ka thënë Rama.

Më pas, të njëjtit kishin pritur, për një ditë tjetër që të ia mësynin kufirit. Derisa të gjithë qëndronin, aty Luan Haradinaj e Ramush Haradinaj kishin dalë ta shihnin terrenin.

Të njëjtit i kishte parë ushtria serbe, mirëpo vëllezërit Haradinaj nuk kishin parë asgjë.

“Ne u nisëm drejt kufirit, por pritë na dolën serbët. Në ishim në një fushë të gjerë pa asnjë mburojë e ana e kundërt ishin fshehur mirë. Unë isha i pari që u plagosa me 5 plumba”, tha Rama.

Edhe pse ende nuk dihej se kush ka shpëtuar e kush jo nga breshëria e plumbave, ishte Ramush Haradinaj ai i cili iu afrua Rafet Ramës, për t’i ndihmuar, pasi që ishte i pari që ishte plagosur.

E vetë Rafet Rama tregoi se Ramush Haradinaj e kishte mbuluar atë me trupin e tij, që ta mbronte nga breshëria e plumbave që po kalonte mbi ta.

“Ramushi erdhi drejt te unë, u hodh mbi mua që të më mbronte nga plumbat që vinin mbi ne. Atij i kërkova vetëm çantën e rëndë me armatim të ma largonte nga shpina dhe të mos sakrifikohej për mua. Me zor u largua nga unë, dhe pasi u largua diku 5 metra, e dëgjova zërin e tij që tha se edhe ai u plagos”, ka rrëfyer Rafet Rama.

Pas Ramushit, iu kishte afruar Fehmiu, e më pas edhe Ramizi, mirëpo të dytë nuk i kishte lejuar të merreshin me të, dhe iu kishte kërkuar të largoheshin.

Pas disa minutave, Rama tregon se e kishte kthyer kokën mbrapa e kur nuk e kishte parë asnjë të grupit të tij e kishte menduar edhe vetëvrasjen dhe jo dorëzimin tek serbët.

“Kur e pashë që mbeta vetëm e i plagosur, armën e drejtova nga vetja ime, mirëpo një forcë e madhe e brendshme nuk më lejoi ta mbys veten. Më pas gjuajta ndaj serbëve, edhe të njëjtit gjuanin përsëri por i kishin gjuajtjet më të dobëta”, vazhdon Rama të tregojë rrëfimin e tij.

Pas kësaj kishin pushuar pak sa breshëria e plumbave të ndalej, dhe i njëjti kur kuptoi se ende kishte forcë brenda vetës filloi të zvarritej kodrës e t’i bashkohej të tjerëve, ku vetë Rama i mendonte të gjithë të gjallë.

“Në një përpjetë të lartë, jam ngjitur me pushkën automatike ndërsa në njërën anë e kam mbajtur shkorpijonin. Ka qenë një lëndinë, e kam parë që nuk mundem me ecë dhe më pas kam mbështetur për gjoksi dy automatikët dhe kam filluar të rrokullisem poshtë”, ka thënë më tej ai.

Rama tregon më tej se mezi kishte mbërritur afër kufirit ku edhe kishin qenë më parë, e menjëherë aty e kishte vërejtur Ramiz Lladrovci. Mirëpo, Rama thotë se së pari i ka rënë në sy automati i Luan Haradinajt i mbështetur për lisi.

“Kur jam afruar te kufiri, ka vrapuar Ramizi drejt meje, ndërsa te një dru e kam parë automatin e Luanit mbështetur. Desha ta marr, e Ramizi më tha: ‘Mos e merr, qe unë e marr’. Edhe unë veç i kam pyetur tjerët, a jeni krejt gjallë, e më thanë që Ardiani ka vdekur, e aty unë e humba betejën. Kur e hupa vetëdijen, menduan që vdiqa, por iu thash që shpëtova”, thotë Rama për Frontal Live.

Më tej, i njëjti tregon që Ramushi, ani pse kishte vëllain e vdekur, merrej me trupin e Rafetit për ta shpëtuar.

“Në ato momente, Ramushi mori thikën, i preu disa drurë, e ndreqi një lese me drurë, për të më bartur mua, ndërsa mendonte që Luanit t’ia digjte fytyrën. Unë iu luta Ramushit mos ta linte, e atë e ka kapur në krahë për ta mbajtur”, rrëfen Rama.

Rama më tej tregon që kujdes i madh iu kushtua edhe armatimit të cilën e mbajti në krahë Xhevë Lladrovci.

“Xheva e ka bartur për Kosovë armatimin. Aty kishte armë të sofistikuara e që nuk gjendeshin atje. Nuk i la, i mori e i barti me kilometra”, thotë Rama.

Ramush Haradinaj e kishte mbajtur në krah I vetëm për orë të tëra të vëllain, Luan Haradinajn, ndërsa të tjerët e kishin ndihmuar Rafet Ramën që ta shpëtonin.

Luanin, me ndihmën e fshatarëve, e kishin varrosur në mes Kosovës e Shqipërisë.

Rama gjithashtu tregon që kanë qenë fshatarët të cilët nuk i kanë lejuar autoritetet e Shqipërisë që t’i kthejnë Ramush Haradinajn dhe Fehmi e Xhevë Lladrovcin në Kosovë.

Për shkak se të njëjtit ishin arrestuar në Shqipëri, dhe pritej që të dorëzoheshin në Kosovë.

E Rafet Ramën e kishin shtrirë në spitalin e Kukësit, për ta mjekuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat