Kosova nënshkruan marrëveshje me USAID në vlerë 1.6 milionë dollarë

Aktuale

Kosova nënshkruan marrëveshje me USAID në vlerë 1.6 milionë dollarë

Më: 6 maj 2021 Në ora: 17:13
Pamje nga takimi

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani së bashku me drejtoreshën e USAID-it për Kosovë, Lisa Magno dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Philip S. Kosnett kanë nënshkruar sot amendamentin e marrëveshjes së grantit me USAID në vlerë prej 1.6 milionë dollarësh.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Osmani tha se kjo ndihmë ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vjetët e ardhshëm përmes të cilave synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive.

Osmani: Ky amendament i Marrëveshjes së Grantit i sjell Kosovës 1.6 milionë euro

“Kemi nënshkruar amendamentin e marrëveshjes mbi Grantin për Objektivat Zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Marrëveshja fillestare e grantit të cilën e kam nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar i solli Kosovës 33 milionë dollarë amerikanë. Sot përmes këtij amendamenti, Republika e Kosovës pranon edhe 1.6 milionë dollarë shtesë e cila e rrit vlerën e përgjithshme të grantit në 34.6 milionë dollarë. Kjo marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vjetët e ardhshëm me të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”, tha Osmani.

Shefja e shtetit të Kosovës tha se marrëveshja e grantit me USAID vulos përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi popullit të Kosovës.

Osmani: Ky grant vulos përkushtimin e SHBA-së për t’i qëndruar afër popullit të Kosovës

“Objektivi i parë përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adapton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Përtej asistencës financiare në dy objektiva specifike kjo marrëveshje e ky grant që nënkupton shumë më shumë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ky grant e vulos përkushtimin e SHBA-së dhe të popullit të saj për t’i qëndruar afër popullit të Kosovës si dikur, për ta ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e tani duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit tonë“, tha Osmani.

Ndërsa, ambasadori Kosnett shprehu gatishmërinë e vendit të tij për t’i dalë në ndihmë popullit të Kosovës me qëllim të krijimit të vetë-efikasitetit të saj.

Kosnett: Një qeveri vetë-efikase do t'i dëgjojë shqetësimet e të gjithëve

“Vetë-efikasiteti do të thotë përfshirje, do të thotë të dëgjosh të gjithë zërat, veçanërisht zërat që dëgjohen më rrallë. Në Kosovë kjo nënkupton zërin e të rinjve, grave, anëtareve të komunitetit pakicë. Studimet dhe përvojat aktuale të vendit kanë treguar që demokracia dhe rritja ekonomike nuk janë të mundshme nëse grupe të caktuara të popullsisë nuk janë në gjendje te kenë mundësi, duhet të ketë një fushë të nivelit të lartë në ushtrimin e të drejtave demokratike dhe disponueshmërinë e mundësive ekonomike dhe të jetesës. Pra, nuk është për t'u habitur që sondazhet publike në Kosovë nxjerrin korrupsionin dhe papunësinë si një nga shqetësimet e qytetarëve. Një qeveri vetë-efikase do t'i dëgjojë këto shqetësime, do të marrë drejtimin dhe do të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me palët e interesit dhe partnerët. Unë besoj se Qeveria është e pozicionuar mirë për të rritur vetë-efikasitetin e saj dhe unë pres që të punojmë ngushtë së bashku me presidenten Osmani, si dhe me kryeministrin Kurti”,tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat