Bajrami: VV-ja me Listën Serbe kanë miratuar pagesën prej 11 milionë euro për rrymën në veri

Aktuale

Bajrami: VV-ja me Listën Serbe kanë miratuar pagesën prej 11 milionë euro për rrymën në veri

Më: 6 maj 2021 Në ora: 18:45
Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami nga LDK-ja, tha se Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Listën Serbe kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore.

Deputetët e VV-së dhe Listës Serbe aprovuan këtë rekomandim ku nga buxheti i Kosovës do t’u ndahen 11 milionë euro për pagesën e rrymës në veri të vendit.

Bajrami ka kritikuar VV-në se ka ndërruar qëndrime pasi sa ishte në opozitë e kundërshtonte një veprim të tillë.

Postimi i plotë:

Vetëvendosje bashkë me Listën e Vuciqit e me aprovim të z. Kurti japin 11 MILIONË euro (11 000 000 €) për rrymën në veri

Me 61 vota për, deputetët e LVV-së së bashku me ata të Listës “Srpska” kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore.

Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Tani që LVV është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim.

Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës – buxheti i KOSTT-it është buxheti i shtetit. KOSTT është ndërmarrje publike.

Për më tepër Kuvendi sot ka ndërhy drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it dhe ka shumë gjasa që Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it.

Ky vazhdim pagese tregon poashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat