VOA: SHBA, 1.6 milionë dollarë Kosovës për projekte zhvillimi

Aktuale

VOA: SHBA, 1.6 milionë dollarë Kosovës për projekte zhvillimi

Më: 6 maj 2021 Në ora: 20:13
Pamje nga nënshkrimi i donacionit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe drejtoresha e misionit të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, (USAID) në Kosovë, Lisa Magno, nënshkruan të enjten një donacion prej 1.6 milionë dollarësh për Kosovën, në kuadër të marrëveshjes mbi grantin për objektivat zhvillimore ndërmjet të dyja vendeve.

Marrëveshja fillestare e këtij granti që u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar, i siguroi Kosovës mbështetje prej 33 milionë dollarësh, ndërsa tani vlera e përgjithshme e këtij granti kalon në 34.6 milionë dollarë.

“Kjo marrëveshje ndërlidhet me objektivat zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Me të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike. Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zonja Osmani, tha se përtej mbështetjes financiare ky grant e vulosë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i qëndruar afër popullit të Kosovës duke nënvizuar se, siç tha ajo, marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në nuk janë vetëm strategjike por ekzistenciale.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se është shumë e rëndësishme për Kosovën që të arrijë vetqëndrueshmërinë.

“Vetqëndrueshmëria nënkupton udhëheqje, udhëheqje që vjen nga qeveria e Kosovës dhe jo nga donatorët ndërkombëtarë. Udhëheqja kërkon nga qeverisja që të qartësojë synimet e veta, të zhvillojë strategji dhe të hartojë plane të veprimit. Kjo do të thotë që planet e qeverisë menaxhojnë dhe financojnë vet programin e tyre të zhvillimit. Derisa ndihma jonë mbështet synimet tona të përbashkëta, këto burime janë jo të përhershme prandaj duhet të përdoren burimet e sotshme për të shtruar rrugën e një Kosove të vetqëndrueshme në të ardhmen”, tha zoti Kosnett.

Që nga viti 1999, USAID-i ka investuar, në emër të popullit amerikan, më shumë se 950 milionë dollarë në rrugëtimin e Kosovës drejt vetqëndrueshmërisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat