Osmani: Dhuna ndaj grave është sulm ndaj vetë themeleve të njerëzimit

Aktuale

Osmani: Dhuna ndaj grave është sulm ndaj vetë themeleve të njerëzimit

Më: 7 maj 2021 Në ora: 12:58
Vjosa Osman

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në konferencën virtuale me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Konventës së Stambollit, ku ka thënë se rreshtimi i Kosovës pranë 34 vendeve që kanë miratuar këtë dokument ka qenë vendimi më i duhur në kohën e duhur për Kosovën kur dhuna në baza gjinore po merrte hov në Kosovë dhe anembanë botës për shkak të pandemisë.

Ajo këtë e quajti fitore e madhe të një përpjekje të gjatë në angazhimin e përbashkët për parandalimin e kësaj dukurie.

“Një zhvillim i tillë s’do t’i jepte zgjidhje të menjëhershme këtij problemi jashtëzakonisht brengosës e të papranueshëm shoqëror, por ishte një veprim që e ka konfirmuar gatishmërinë e ligjvënësve tanë për të punuar dhe angazhuar në këtë drejtim”.

Osmani ka thënë se përpjekja dhe angazhimi për jetë dinjitoze dhe me integritet për të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës nuk ndalet në kufijtë politikë, por se bëhet me përfshirjen e të gjithëve si garanci për të arritur te caku.

“Për fat të keq fotografia nuk është aq optimiste sa do të dëshironim ta kishim pas 10 vjetëve rrugëtim të kësaj konvente dhe këtij dokumenti kaq të rëndësishëm”.

Më 25 shtator 2020 Kuvendi i Kosovës ka miratuar amendamentin që e përfshinë Konventën e Stambollit në Kushtetutën e Kosovës me votë unanime.

Konferenca virtuale, pjesë e së cilës ishte edhe kryeministri Kurti, u organizua nga Zyra e Këshillit të Europës në Prishtinë në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat