Abazi: Pavarësisht si mund të jetë fundi i procesit, faktet e gjenocidit të kryer nga Serbia duhet depozituar në gjykatat ndërkombëtare

Aktuale

Abazi: Pavarësisht si mund të jetë fundi i procesit, faktet e gjenocidit të kryer nga Serbia duhet depozituar në gjykatat ndërkombëtare

Më: 7 maj 2021 Në ora: 19:24
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, tha se deklarata e kryeministrit Albin Kurti lidhur me padinë që Kosova do ta bëjë karshi Serbisë për gjenocid, është e bazuar në një analizë mirëfilli, por që sipas tij hap një punë jashtëzakonisht të madhe të grumbullimit, seleksionimit dhe kategorizimit të informacioneve për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Besoj që është e domosdoshme, ishte edhe para 20 vjetëve menjëherë pas çlirimit, mirëpo tani mendoj që duhet të jemi bashkë meqë nuk është hera e parë që Serbia ka bërë krime ndaj nesh, pra kemi shumë e shumë raste edhe në vitet e mëhershme. Mendoj që me këtë duhet t’i japim fund kapitullit të pa-adresimit të krimeve që ka bërë Serbia ndaj shqiptarëve si etni dhe si komb”.

Në pyetjen lidhur me atë që nëse padia nuk do të pranohet ose nëse shteti ynë del humbës ndaj Serbisë në gjykatë, Abazi u shpreh se procesi është i rëndësishëm po aq sa edhe verdikti.

“Ne duhet dokumentuar çdo krim të kryer që nga viti 89 e më herët. Kemi vrasjen e ushtarëve tanë në ushtrinë e ish Jugosllavisë, dëbimin e shqiptarëve nga puna, shqiptarëve që janë vrarë, përfshirë fëmijë, gra e pleq nga 1997-1999 gjatë luftës së fundit”

“Do ishte mirë sikur në Srebrenicë që të konstatohej që po të mos ishte intervenimi i NATOS-s, Kosova do të mbetej me numër shumë të vogël të shqiptarëve. Intervenimi i NATOS-s e ka ndërprerë mundësinë e Serbisë për ta zbrazur plotësisht Kosovën nga shqiptarët dhe këto fakte duhet depozituar para gjykatave ndërkombëtare, pavarësisht se si mund të jetë fundi i këtij procesi” theksoi Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat